Lukashenko: Nuk do të hezitojmë të përdorim armët bërthamore ruse përballë një agresioni

14/06/2023 22:25

Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko deklaroi të martën se vendi i tij kishte marrë tashmë disa nga armët taktike bërthamore të Rusisë dhe paralajmëroi se ai nuk do të hezitonte të urdhëronte përdorimin e tyre nëse Bjellorusia përballej me agresion.

Komentet e Lukashenkos bien në kundërshtim me deklaratat e mëparshme të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili tha se pasi armët bërthamore të vendosen në Bjellorusi, do të mbeten nën kontrollin ekskluziv të Moskës.

Në fillim të këtij viti, zoti Putin njoftoi planin për vendosjen e armëve bërthamore me rreze të shkurtër veprimi në vendin fqinj dhe aleatin e Moskës, Bjellorusinë, një veprim i parë gjerësisht si një paralajmërim për Perëndimin, ndërsa rriti mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Gjatë takimit të tij të premten me presidentin bjellorus Lukashenko, zoti Putin tha se puna për ndërtimin e objekteve për armët do të përfundonte më 7-8 korrik dhe ato do të zhvendoseshin shpejt në territorin bjellorus pas kësaj, raporton Zëri i Amerikës.

Presidenti Lukashenko tha të martën se “gjithçka është gati” për vendosjen e armëve bërthamore ruse, duke shtuar se “mund të duhen vetëm disa ditë që ne të marrim atë që kishim kërkuar dhe madje edhe pak më shumë”.

I pyetur më vonë nga një prezantues i televizionit shtetëror rus nëse Bjellorusia kishte marrë tashmë disa nga armët, zoti Lukashenko u përgjigj duke thënë: “Jo të gjitha, pak nga pak”.

“Ne i kemi marrë raketat dhe bombat nga Rusia”, tha ai, duke shtuar se armët bërthamore ruse që do të vendosen në Bjellorusi janë tre herë më të fuqishme se bombat atomike të SHBA-së që u hodhën në qytetet japoneze të Hiroshima dhe Nagasaki në 1945.

“Zoti na ruajt që të marr një vendim për t’i përdorur ato armë sot, por nuk do të kishte asnjë hezitim nëse përballemi me një agresion”, tha zoti Lukashenko, i njohur për deklaratat e tij të ashpra, në komentet e lëshuara nga zyra e tij të martën.

Duke folur më vonë të martën në fjalimet e transmetuara nga televizioni shtetëror rus, ai sqaroi se do të bisedonte me presidentin Putin përpara se të përdorte ndonjë nga armët.

“Unë e marr telefonin dhe kudo që të jetë ai, ai e pranon telefonatën”, tha zoti Lukashenko duke iu referuar presidentit Putin. “Nëse ai telefonon, unë përgjigjem në çdo kohë. Nuk është aspak problem të koordinosh nisjen e një sulmi”.

Zyrtarët rusë nuk bënë reagime të menjëhershëm mbi komentet e zotit Lukashenko.

Presidenti Lukashenko theksoi se ai i kishte kërkuar Putinit të dislokonte armë bërthamore ruse në Bjellorusi. Ai argumentoi se masa ishte e nevojshme për të penguar një agresion të mundshëm.

“Unë besoj se askush nuk do të ishte i gatshëm të luftonte një vend që i ka ato armë“, tha zoti Lukashenko. “Këto armë shërbejnë si një masë frenuese ndaj një sulmi të mundshëm.”

Armët bërthamore taktike janë të afta të shkatërrojnë trupat dhe armët e armikut në fushën e betejës. Ato kanë një rreze veprimi relativisht të shkurtër dhe një nivel shkatërrimi shumë më të vogël se raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, që mund të shkatërrojnë qytete të tëra.

Presidenti Lukashenko tha se Bjellorusia nuk kishte nevojë për vendosjen e armëve strategjike bërthamore të Rusisë në territorin e saj. “A do të luftojmë me Amerikën? Jo”, tha ai.

Megjithatë, ai shtori se Bjellorusia po përgatit objekte për raketa ndërkontinentale me mbushje bërthamore, në rast se ato do të jenë të nevojshme.

Në Ukrainë, Kazakistan dhe Bjellorusi u dislokuan sasi të konsiderueshme të arsenalit bërthamor sovjetik kur ato ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Këto armë u tërhoqën në Rusi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, në bazë të një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Rusia nuk ka saktësuar sasinë e armëve të saj taktike bërthamore që do të dërgoheshin në Bjellorusi. Qeveria amerikane beson se Rusia ka rreth 2000 armë bërthamore taktike, përfshirë bomba që mund të barten me avionë dhe raketa me mbushje bërthamore me rreze të shkurtër veprimi.

Rusia përdori territorin e Bjellorusisë për të dërguar trupat e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022 dhe ka mbajtur forca dhe armë në territorin e aleatit të saj. Presidenti Lukashenko tha të martën se Bjellorusia do të intensifikonte prodhimin e raketave për pajisjet që lëshojnë disa raketa njëkohësisht.

Presidenti Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet prej 29 vitesh, është varur nga mbështetja politike dhe ekonomike e Rusisë për t’i mbijetuar muajve të tërë protestash dhe sanksionesh perëndimore pas zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat u konsideruan të manipuluara si nga partitë opozitare ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA