Ish krybashkiaku Dako ndodhet pas hekurave edhe për një tjetër episode, sërish për akuzën “shpërdorim detyre”.
Bëhet fjalë për abuzime me tenderin “për projektim zbatim për promenadën bregdetare dhe plazhin publik nga Brryli deri tek Currilat”. Hetimi ka nisur pas kallëzimit të ish kreut të Pd-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj. Të dyja kallëzimet janë bashkuar në një të vetëm.
“Është njeri që është përfolur për shumë problematika që lidhen me zgjedhjet, apo adminsitrimin e bashkisë, dhe në këtë moment kur kemi pasur dhe non grata të SHBA në 2019, që lidhet me korrupsion të lartë, arrestohet për një vepër minore në këndvështirmin tim, apo episode që lidhen me kate pa leje apo tender që është gabuar në vlerë”, u shpreh avokati Redi Ramaj.
“Kjo është një situatë e rëndë, nga më të rëndat juridike që mund të ketë patur historia e një shteti. Pse e them këtë? Sepse populli shqiptar, publiku duhet të kuptojë sa i pasigurt juridikisht është. Arrestohesh kot fare. Se ka treguar dikush një përrallë. Po provo një rrugë tjetër një herë”, u shpreh ish- Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Ky kallëzim ka të bëjë me një tender të zhvilluar në vitin 2013. Pretendohet se vlera e këtij tenderi është rritur në mënyrë fiktive deri në 10 herë më shumë se sa fondi limit, i parashikuar me vendimin e qeverisë.
Më konkretisht tenderi është fituar nga kompania “Spahera” me një vlerë prej 21 milionë lekë, kur duhet të ishte vetëm 2.2 mln lekë. Pra është llogaritur me një diferencë prej 18 mln lekësh më shumë.
Indicia për këtë tender ka ardhur pas një kontrolli që KLSH ushtroi përgjatë vitit 2015 në këtë bashki.
Bashkia ka pranuar se ka përllogaritur keq sipërfaqen e përfshirë në rehabilitim që ka sjellë edhe përllogaritje të gabuara të vlerës së tenderuar. Sipas ekonomistes sipërfaqja që ishte vetëm 2.04 ha ëhstë përllogaritur si 20.4 ha, por megjithatë kompania është paguar një më një.
“Për sa i përket tenderit dytë, episodit dytë që ldihet me project në Currila, mund të jetë edhe gabim i bashkisë apo zyrtarëve por edhe rast korrupsioni pasi e ka nxjerrë KLSH si rast të tillë ku u mor indicia e prokurorisë, por në gjithë rastet ëeshtë rast minor, vlera korrupsionit është e ulët kur flasim për korrupsion me vlera miliona euro që ka në Shqipëri”, tha avokati Ramaj.
Paradoksi qëndron në faktin se ndonëse bashkia nuk kishte bërë ende 40% të pagesës për promenadën, kur KLSH konstatoi shkeljen dhe i kërkoi bashkisë që kontraktori të kthente paratë e përfituara padrejtësisht, bashkia i kalon kompanisë edhe pjesën e mbetur të pagesës. Pra firma fituese, në vend që të kthente mbrapsht 18 mln lekë të përfituara padrejtësisht, arkëtoi edhe 8.3 mln të tjera.
“Nga sa më sipër, anëtarët e grupit të punës Adurim Qehajaj, Adnand toçilla, Diana dedja dhe kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako, me dërgjegje dhe vullnet kanë kryer veprime të kundraligshme”- citohet në dëshmi.
Hetuesit gjykojnë se nuk bëhet fjalë aspak për gabim material, pasi ka prova se ato janë në dijeni të “ngatërresës” pej 18 mln lekë.
Ky fakt sipas prokurorisë provohet edhe nga një veprim tjetër i konsideruar fiktiv.
Kryebashkiaku Vangjush Dako, ka autorizuar juristin e bashkisë që të ngrejë një padi kundër shoqërisë “Sphaera” për rikuperimin e shumës. Por, çështja është pushuar në korrik 2016, pasi bashkia nuk u paraqit asnjëherë në këtë proçes.
“Është vepër penale, rast për tu dënuar, por nuk është ky thelbi problemit Shqipërisë, bashkisë Durrësit apo zytrarëve të saj, është e vogël kjo cështje për SPAK, skishte nevojë të merrej SPAK por merrej prokuroria Durrësit”, tha Redi Ramaj.
“Janë bërë goditje, por krahas 2-3 peshqeve le të themi që në zhargon quhen të mëdhenj po merret edhe me të vegjlit, me puntorët që kanë bërë korrupsion”- tha ish deputeti Braho.
Top Channel