Le të themi se ju jeni një lider botëror që pas largimit nga detyra keni mbajtur në mënyrë të pahijshme sekretet e sigurisë kombëtare. Cili do të ishte vendi më i sigurt për t’i ruajtur ato: banjo apo garazhi juaj?

Sipas Kevin McCarthy, përgjigja është banja. Kështu e mbrojti kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të hënën Donald Trump-in, pasi hetuesit federalë publikuan fotot që tregonin kuti me dokumente të klasifikuara, që ishin grumbull pranë dushit në shtëpinë verore të ish-presidentit Trump në Florida.

Dokumentet sekrete në banjon e Trump

Dera e banje mbyllet,” tha republikani kalifornian. “Ndaj do të ishte më e sigurt, sesa vendi ku u gjetën dokumentet e klasifikuara të ruajtura në rezidencën e Joe Biden: në garazhin e tij që hapet gjatë gjithë kohës”, argumentoi McCarthy.

Biden zbuloi në janar se avokatët e tij kishin zbuluar një numër të vogël dosjesh në garazhin e shtëpisë së tij. Presidenti tha se i ktheu të gjitha materialet sapo u zbuluan, kjo është arsyeja pse ai nuk është akuzuar si Trump, për të cilin prokurorët federalë thonë se bëri deklarata të përsëritura të rreme dhe i pengoi ata të merrnin dosjet.

Garazhi i Biden ku u gjeten dokumentet

Në këtë pikë nuk dihet se si do të përfundojë historia e paprecedentë e Trump, pa zgjidhur dilemën se në cilën pjesë të shtëpisë do të ishin më të sigurta dokumentet shtetërore, të ruajtura në tualet si Trump apo në garazh si Biden.

Aq seriozisht është marrë kjo situatë sa janë pyetur edhe ekspertë dhe profesionistë të ndërtimit.

The Guardian kontaktoi disa prej tyre.

Tualeti do të ishte një nga vendet më të këqija të mundshme për të ruajtur skedarë të rëndësishëm”, tha Zach Barnes-Corby, kreu i ndërtimit në Block Renovation.

Çdo gjë që ruhet në banjë që nuk është rezistente ndaj lagështirës do të dëmtohej shumë shpejt. Përveç mykut këto dokumente do të ishin të ekspozuara edhe ndaj produkteve të pastrimit, të cilat i dëmtojnë shumë këto materiale” , tha ai.

Por a mund të ofrojë një bravë në derën e tualetit mbrojtje? Ekspertët pajtohen dhe thonë një zëri: JO.

Do të ishte shumë e pazakontë që një derë e banjës të mbyllet nga jashtë, pasi ato janë pothuajse gjithmonë të vendosura për t’u kyçur vetëm nga brenda,” thotë Joshua Bartlett, i cili drejton faqen “I’ll Just Fix it Myself” që është një nga faqet më të famshme të arkitekturës. Bartlett, përpiqet kështu të shpjegojë alogjikën në të menduarin e kongresmenit, McCarthy.

Kur bëhet fjalë për sigurinë, një derë banjo është e sigurt 2 nga 10. Ndërsa një derë garazhi do të ishte 8 në 10. Dyert e garazheve mund të jenë prej çeliku, alumini ose druri por shumica kanë mbyllje shtesë nga brenda dhe jashtë. Është shumë më e vështirë të depërtosh nëpër një derë garazhi se në çdo derë tjetër të shtëpisë”, thotë Eric Marie, ekspert dhe kontraktor në fushën e ndërtimeve.

Historia e dokumenteve sekrete të gjetura në tualete nuk është e panjohur ndaj dhe serioziteti i kësaj çështjeje tejkalon tualetin si vend i pahijshëm për të ruajtur sekrete shtetërore.

Në prill të këtij viti, dokumente që kishin lidhje me funksionimin e brendshëm të një nëndetëse bërthamore të Marinës Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar, thuhet se u gjetën në dyshemenë e banjës së një pijetore të kompanisë Wetherspoons.

Në vitin 2018-të , një punonjës i agjencisë së inteligjencës së Zelandës së Re la një çantë me dokumente të klasifikuara sekret në tualetin e një kafeneje.

Dhe në vitin 2016-të, një veteran i marinës amerikane, Harold T Martin, u arrestua pasi hetuesit zbuluan se ai kishte në shtëpinë e tij mijëra dokumente dhe disqe që kishin të dhëna të sigurisë kombëtare. Materialet u gjetën disa në tualetin e shtëpisë, në garazh dhe në sediljen e pasme të makinës së tij.

Ai u dënua në vitin 2019-të  me nëntë vjet burg.

Burimi: The Guardian, New York Times

Top Channel