PS mbushi 32 vite ekzistencë të saj, duke i dhënë tonin politikës shqiptare e dominuar zhvillimet politike në vend.

Nën drejtimin e Edi Ramës prej vitit 2005, PS është futur në historinë e pluralizmit politik, si e vetmja forcë politike fituese e tre mandateve rresht për të qeverisur Shqipërinë.

Si urim për të gjithë socialistët Edi Rama dërgoi këtë mesazh.

“Me flamurin e forcës së vetme politike shqiptare, që në asnjë rast apo çast qysh prej krijimit të saj, nuk ka lëvizur nga drejtimi i interesit kombëtar, duke qenë njëkohësisht e vetmja forcë politike shqiptare e cila votohet më shumë nga gratë se sa nga burrat, i uroj çdo anëtari e anëtareje të familjes sonë të madhe, gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste”.

Nga 12 Qershori i vitit 1991, kanë kaluar plot 32 vite kur një pjesë e anëtarëve të Partisë së Punës që drejtoi vendin për pesë dekada, vendosi t’i përshtatej kohës së re, duke ndryshuar emër, mision dhe program për t’u ndarë nga e kaluara.

Kjo datë shënoi lindjen e Partia Socialiste e Shqipërisë, me kryetarin e parë të saji Fatos Nanon, që shumë shpejt do të kalonte në një opozitë të vështirë.

Socialistët të paragjykuar për të kaluarën e tyre të afërt u përballën me nevojën për ndryshim, por edhe sjelljen e ashpër të pushtetit.

Viti 1992 solli për herë të parë Partinë Demokratike në pushtet.

Sali Berisha u bë President i Republikës, ndërsa brenda pak kohësh ai që konsiderohej kreu i opozitës Fatos Nano, përfundoi në burg, i dënuar me 12 vjet vjet heqje lirie për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Fatos Nano drejtonte PS nga qelitë e Bënçës dhe komunikonte me udhëheqjen e përçarë me anë të letrave.
Kjo është periudha më e vështirë e kësaj partie të re dhe të vjetër deri në fitoren që arriti në vitin 1994 me referendumin e Kushtetutës.

Në zgjedhjet e vitit ‘96 socialistët akuzuan Berishën për manipulime masive, duke u tërhequr nga gara.
Ndërkombëtarët duket se i mbështetën, duke kërkuar përsëritjen e tyre në një pjesë të mirë të vendit, ndërsa opozita doli në rrugë të protestonte, ku u gjakos në përplasjet me policinë.

Me trazirat sociale të vitit ’97, Fatos Nano doli nga burgu i shkatërruar i Bënçës, ndërsa socialistët erdhën në pushtet me nanon kryeministër pas zgjedhjeve te qershorit.

Një grusht shteti në vitin ‘98 bëri që Nano të largohej nga qeveria, në vitin 2001 i kryetar i partisë nisi lëvizjen e famshme për katarsis.

Konfliktet e brendshme nuk gjetën paqe dhe Ilir Meta shkëputet duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në vitin 2004.

Ndarja i dha pasojat në zgjedhjet e vitit 2005, kur PS humb dhe del në opozitë.

Nano largohet nga partia, drejtimin e të cilës e merr Edi Rama, që ndonëse në opozitë arrin të fitojë edhe një tjetër mandat në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2007.

Katër vite më pas, fitorja me pak vota e Lulzim Bashës e detyron kryesocialistin Rama të merret ekskluzivisht me çështjet e partisë, të cilën e rikthen në pushtet në vitin 2013, vetëm duke u ribashkuar me atë pjesë të cilën kishte humbur rrugës, LSI-në.

Këtu nis epoka e Rilindjes e cila fitoi të gjitha zgjedhjet në 2017, 2019, 2021 dhe të fundit zgjedhjet e 14 majit ku socialistët e ngjyrosën gjithë hartën e shqipërisë. Në këtë mënyrë ata shikojnë me shumë optimizëm zgjedhjet e 2025.

Me një kundërshtar të përcarë përballë, socialistët në këtë 32 vjetor duket se rivalin më të fortë për pushtetin kanë vetëm veten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA