Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Mal të Zi, më së shumti vota ka marrë Lëvizja Evropa Tani, e ndjekur nga aleanca “Së bashku” dhe koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”.
Drejtues të partive politike atje, dolën në konferencë për media duke thënë se janë të kënaqur me rezultatet dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Lideri i listës së Lëvizjes Evropa Tani (PES), Millojko Spajiq, partia kjo e cila sipas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të djeshme në Mal të Zi, është fituese, deklaroi se presin që sa më shpejt të formohet qeveria.
Duke u shprehur i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që ndajnë vlera të njëjta, Spajiq deklaroi se partia e tij prej një partie jo joparlamentare në më pak se një vit arriti të bëhen partia më të madhe në Mali të Zi.
“Kjo është një fitore e madhe për Lëvizjen Evropa Tani dhe për listën tonë, nga statusi i partisë joparlamentare u bëmë partia më e madhe në Mal të Zi në më pak se një vit. Dhe këtë përkundër të gjitha presioneve të keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe gjithçkaje që keni parë këto ditë, ne jemi të kënaqur me rezultatin. Faleminderit të gjithëve që votuan sot Lëvizjen Evropa Tani dhe faleminderit të gjithëve që morën pjesë në zgjedhje sot. Siç thashë, kemi arritur një rezultat të mirë dhe presim që qeveria të formohet sa më shpejt, nuk do të na rrëmbejë kjo fitore dhe do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat tona”, theksoi ai.
Ndërsa, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq deklaroi se tani pret nga Spajiq si më i votuari në këto zgjedhje të formojë qeverinë e Malit të Zi.
Abazoviq i cili udhëheqë edhe Lëvizjen Qytetare Ura, theksoi se të harrojë dikush që duhet të vendos interesat personale para atyre kombëtare të Malit të Zi.
“Ne kemi qeverinë, presim parlamentin dhe për zotin Spajiq, ai ka marrë më së shumti, le ta formoj.. Për sa na përket neve, të gjithë që janë për një Mali të Zi Evropian, qytetarë dhe ekologjik janë të mirëpritur, harroni se dikush duhet të vendosë interesat e tij personale para interesave kombëtare të Malit të Zi”, u shpreh Abazoviq.
Ndërsa, Danijell Zhivkoviq nga koalicioni i udhëhequr nga DPS-ja, e cila si parti doli e dyta në zgjedhjet e djeshme parlamentare, u shpreh se pa një koalicion të përbashkët nuk ka qeveri të qëndrueshme reformuese e evropiane.
“Ne këtë rezultat zgjedhor e arritëm së bashku në koalicion me Socialdemokratët, Partinë Liberale dhe Bashkimin Demokratik të Shqiptarëve. Të cilëve me këtë rast dua t’i falënderoj për raportin e përgjegjshëm të përkushtuar dhe marrëdhënien miqësore që kemi treguar në këtë fushatë. Prandaj, ky koalicion me fuqinë e saj e ka konfirmuar rëndësinë e saj politike dhe menjëherë t’u komunikojmë qytetareve dhe qytetarëve të Malit të Zi se pa një koalicion të përbashkët nuk ka qeveri të qëndrueshme reformuese dhe evropiane”, deklaroi Zhirkoviq.
Në zgjedhjet parlamentare, lëvizja ”Evropa tani” fitoi 25,6 për qind të votave ose 23 mandate dhe koalicioni ”Së bashku”, i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve, 23,8 për qind ose 21 mandate, sipas rezultateve paraprake të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, bazuar në 99 për qind të të të dhënave të përpunuara, sipas agjencisë malazeze të lajmeve, MINA.
Koalicioni për Ardhmërinë e Malit të Zi fitoi 14,8 për qind të votave ose 13 mandate, koalicioni i Demokratëve dhe Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit fitoi 12,3 për qind ose 11 mandate dhe Partia Boshnjake, 6,9 për qind të votave ose gjashtë mandate./KosovaPress
Top Channel