“Padër Zefi, Frati i Kujtimeve”/ Sonte në Exclusive, dokumentari i përgatitur nga Monika Stafa

11/06/2023 12:51

Historia e persekutimit të Kishës Katolike gjatë regjimit komunist në Shqipëri është nga më tragjiket ndodhur ndonjëherë gjatë Luftës së Ftohtë.

At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë e këtij ferri. Vepra që la pas, është një kronologji persekutimi, dhimbje por dhe e një qëndrese fisnike kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë. Sot Exclusive, sjell në kujtesë këtë figurë emblematike të atdhedashurisë shqiptare.

 At Zef Pllumi (Estela Ziu interviste 2006): Këtë libër e kam shkrue vetëm për histori, për me tregue se ç’jemë kenë, se nuk ka fillue kultura në Shqipni bashkë me komuni-zmin, por se ma të kulturuem janë kenë njerëzit përpara.

Av. Spartak Ngjela: Është i pari që ka nxjerrë të gjithë tragjedinë tonë jo të imponuar nga jashtë, jo si një gjë e rastësishme, por si një fenomen që e ka vetë shoqëria.

Padër Vitor Demaj: At Zef Pllumi ishte një shpirt i lirë, ishte kritik. Përpara lirisë nuk ka vënë asgjë.

Bardhyl Matraxhiu (profesor): Përveç kulturës ai kishte dhe një zgjuarsi popullore …

Françeskani, simbol i rrethit të nëntë të ferrit komunist, ishte shënjuar të ishte i tillë, dëshmor i paepur i të Vorfnit të Asizit, që kur Padër Fishta e Harapi e bekuan me karizmën e heroit.

Jeta e tij prej ushtari të dritës, në plot 26 vite u lidh pazgjidhshmërisht me vuajtjet e nëntokës famëkeqe komuniste; i përbuzur, i torturuar por asnjëherë nuk lëshoi fe e atdhe, duke mos u tjetërsuar, pikërisht aty ku dhimbja e trupit bëhej barrë e rëndë për mendjen. Jetoi në burgje, e kampe pa u dorëzuar tek një fe që nuk e besonte, e në emër të së cilës u bënë krime të shëmtuara.

Padër Zefi, Frati i Kujtimeve

Sonte në Exclusive, ora 20:15 në ekranin e Top Channel

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA