Mali i Zi mban sot zgjedhjet parlamentare, ndërsa në garë janë edhe dy koalicione të partive shqiptare: “Forumi Shqiptar” me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu.

Gjatë një prononcimi për mediet pas shprehjes së vullnetit në kutinë e votimit, Gjeloshaj dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, u bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe shmangien e incidenteve për një proces demokratik ashtu sikurse i ka hije një vendi evropian. Dyshja gjithashtu falenderuan mediet nga Shqipëria dhe Kosova për interesin me të cilin po përciellin këtë proces.

“Fillimisht dëshiroj tju falenderoj personalisht juve për interesimin që bëni për proceset zgjedhore në Malin e Zi. Për ne kjo është një mbështetje shumë e madhe. Ne besojmë dhe shpresojmë së pari që ky process të jetë i qetë. Jemi munduar të japim maksimumin që kështu të ndodhë dhe kam besimin e plotë se qytetatët tanë çdo ditë e më shumë e kanë kuptuar kontributin tonë, dhe kontributin e subjekteve nacionale për këto procese të rëndësishme.

Ky është momenti që t’i ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm në Tuz por kudo në Ulqin, Plavë, Guci, Rozhajë, Krajë, Tivar dhe natyrisht të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen dhe jetojnë në Mal të Zi, të dalin dhe votojnë. Vota është një nga armët më të mëdha demokratike sot. Me votën qytetarët përcaktojnë vetë se kush dhe si t’i përfaqësojë për një periudhë të rëndësishme. Ndaj është e rëndësishme pjesëmarrja sa më e lartë qytetare në zgjedhje, për të përkrahur ata që mendojnë se janë më të mirët”- tha Dukaj.

I pyetur se çfarë do të thotë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në qeverinë malazeze, nisur edhe nga eksperienca e  tij një vjeçare në qeveri, Marash Dukaj përgjigjet se ka shumë benefite. Vetëm brenda një viti udhëheqje, thotë ai, në komunat shqiptare në Mal të Zi janë investuar më shumë se 20 milion euro.

“Unë kam qenë prej një viti ministër i Administratës Publike, dhe mendoj se me punë duhet ta dëshmojmë angazhimin tonë. Jemi munduar të veprojmë kështu dhe jam shumë i lumtur që për një periudhë kaq të shkurtër kohore të kemi bërë kaq shumë për shqiptarët. Për një vit është bërë më shumë se 20 vjet.

Madje sipas statistikave, brenda një viti janë nënshkruar kontrata për investime në komunat shqiptare, jo vetëm në Tuz por në të gjitha komunat shqiptare, në më shumë se 20 milion euro. Kjo tregon sinqeritetin dhe angazhimin tonë për të çuar përpara proceset duke filluar nga integrimi i shqiptarëve, të cilët jo vetëm në Mal të Zi por kudo po tregojnë se dinë dhe duan të jenë barabartë si të gjithë të tjerët. Natyrisht, integrim së bashku me identitet, duke u zhvilluar në nivelet evropiane pasi ne jemi shtet evropian”- tha Dukaj.

Edhe Nik Gjeloshaj, i pari në listën e “Forumit Shqiptar”, e ka konsideruar 11 qershorin ditë demokracie duke u bërë thirrje zgjedhësve për pjesëmarrje masive në votime dhe proces të qetë.

“Ju falenderoj përzemërsisht si medie që jeni këtu për të përciellë fushatën e shqiptarëve. Sot është ditë demokracie ndaj mendoj se gjithçka do të shkojë qetë. Ftoj të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, militantët partiak të japin shembullin e një procesi të qetë.

Besoj se sot prej Malit të Zi do të vij mesazhi i një dite ku qytetarët të japin mendimin e tyre se kush do që ti drejtojë në 4 vitet e ardhshme”- tha Gjeloshaj.

Top Channel