Mali i Zi zhvillon sot zgjedhjet parlamentare, të tretat brenda 9 muajve dhe të dymbëdhjetat që nga vendosja e pluralizmit politik në vend, të cilat pritet të përcaktojnë nëse anëtari i NATO-s do të tejkalojë ndasitë e thella si dhe paqëndrueshmërinë politike për të vazhduar rrugëtimin drejt familjes europiane. 

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore.

PSD-ja e Millo Gjukanoviç hyn për herë të parë në zgjedhje pa liderin e saj historik, i cili pas tri dekadash u tërhoq nga kryesimi i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç.

Në listën e votimit janë 15 parti dhe koalicione që nga ato që janë pro perëndimore deri tek ato pro serbe dhe pro ruse. Sipas shortit, në vendin e parë të fletëvotimit do të jetë partia “Është e qartë! – Partia Boshnjake – Ervin Ibrahimoviç”, e dyta “HGI – Në anën e drejtë të botës!”, dhe e treta “Drejtësi për të gjithë!” – dr. Vladimir Leposaviç”.

Lista e koalicionit të Partisë Popullore Socialiste dhe Demos “Për ty” do të jetë në vendin e katërt, lista e koalicionit të përbërë nga “Mali i Zi i Drejtë”, Lëvizja Demokristiane, “Mali i Zi i Lirë”, Partia Demokratike Serbe dhe Lëvizja për Plevlën do të jetë në vendin e pestë, me emrin “Koalicioni Popullor – të bashkuar dhe pikë”.

Në vendin e gjashtë renditet lista e Aleancës Shqiptare, koalicion i përbërë nga Forca, Aleanca Demokratike, Aleanca Demokratike e Malit të Zi dhe grupi qytetar Lëvizja për Tuzin, e ndjekur nga lista “Lëvizja për një Mal të Zi të sigurt – Sërxhan Periç”, dhe më pas lista “Lëvizja për Ndryshime – Mali i Zi i Pari – Nebojsha Medojeviç – Reforma për shpëtimin e vendit”.

Lista e “Po. Ne mundemi për një Mal të Zi qytetar!” është në vendin e nëntë. Në vendin e dhjetë është lista e koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale – “Së bashku! Për të ardhmen që ju takon – Danijel Zhivkoviç”.

Lista “Evropa tani – Milojko Spajiç” është në vendin e 11-të, e ndjekur nga “SDP – Për shtëpinë tonë”, dhe më pas lista e koalicionit të Lëvizjes Qytetare URA dhe Demokratëve “Aleksa dhe Dritan – Numëroni me guxim.!”.

Në vendin e 14-të është lista e koalicionit të Demokracisë së Re Serbe, Partisë Popullore Demokratike dhe Partisë Punëtore “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, dhe në vendin e 15-të është lista e Forumit Shqiptar, e cila përbëhet nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Unioni Kombëtar i Shqiptarëve, me emrin “Forumi Shqiptar – Nik Gjeloshaj “BESA për Zhvillim Evropian”.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00.

Por cilat pritet të jenë partitë fituese sipas sondazheve?

Sipas anketimeve të bëra, garën pritet të kryesojë lëvizja “Evropa Tani” e formuar në mesin e vitit të kaluar nga ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiç, Millojko Spajiç  dhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Spajiç dhe Milatoviç, asokohe njëri në postin e ministrit të Financave dhe tjetri në postin e ministrit të Ekonomisë u përkrahën nga opinioni publik, duke fituar menjëherë popullaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në radhët e qytetarëve malazez, pasi realizuan programin “Evropa Tani 1” që nënkuptonte rritjen e pagave dhe të pensioneve. Në këtë fushatë ata u prezantuan me programin “Evropa 2”, e cila po ashtu parasheh rritjen e pagave, pensioneve, mirëqenien e përgjithshme dhe antarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, edhe pse kjo lëvizje ka kuota të larta në sondazhe, vështirë se do të mund të formojë e vetme një qeveri të re të qendrueshme, me detyra prioritare dhe ta nxjerrë vendin nga kriza shumë-vjeçare politike dhe ekonomike për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Forcë e dytë në këto zgjedhje pritet të dalë Partia Demokratike e Socialistëve. Një ndryshim i madh parashikohet të pësojë koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe sondazhet paraprake parashikojnë një rënie të theksuar.

Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën në nivel shtetëror, Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandidojnë së bashku në zgjedhjet e së dielës.

Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu. Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.

17:05/ ​Abazoviç: Jam i bindur se koalicioni ynë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi sot se nuk ka dilemë që ai dhe partia e tij kanë dhënë kontributin e tyre dhe se duhet të vazhdojnë që me të njëjtën forcë që t’i promovojnë vlerat për të cilat luftojnë.

16:08/ Pjesëmarrje e ulët në zgjedhje/ Partitë politike shqiptare presin të jenë pjesë e qeverisë së re në Mal të Zi

Shqetësimi i partive në Mal të Zi është fakti se ka një pjesëmarrje të vogël, raporton gazetari Klodian Zhivani që po ndjek procesin e votimit. Vetëm 35 për qind e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje deri në orën 15:00.

Forcat politike shqiptare presin të jenë një pjesë e rëndësishme e qeverisë së re.

14:50/ Deri më tani, kanë votuar 32.1% e votuesve! Incidente dhe konflikte në disa qendra votimi

32.1 për qind e malazezëve kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës deri në orën 14:00, në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në vend.

Ndërkohë, nuk kanë munguar incidentet në disa qendra votimi. Një konflikt mes votuesve dhe anëtarëve të komisionit të votimit u raportua në Podgoricë, pasi u konstatuar se në listën e votuesve, gjendeshin firma të një votuesi tjetër.

12:35/ Nik Gjeloshaj dhe Marash Dukaj thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje: Në një vit u investua mbi 20 mln euro

Gjatë një prononcimi për mediet, pas shprehjes së vullnetit në kutinë e votimit, Gjeloshaj dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, pasi falenderuan medien për interesin me të cilin po përciellin procesin, u bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje, dhe shmangien e incidenteve për një proces demokratik ashtu sikurse i ka hije një vendi evropian.

11:03/ Mali i Zi nën “ethet” e zgjedhjeve parlamentare! KSHZ publikon shifrat: Sa ishte pjesëmarrja deri në orën 09:00

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 09:00 kanë votuar 5,42 për qind e votuesve. Kryetari i KSHZ-së, Nikolla Mugosha tha se për momentin nuk ka asnjë kundërshtim apo parregullsi që mund të ndikojë në rezultatet e votimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA