56.4 % e malazezëve votuan në zgjedhjet parlamentare/ Nis numërimi i votave

11/06/2023 20:35

56.4 për qind e malazezëve votuan këtë të diel në zgjedhjet parlamentare, sipas shifrave paraprake.

Procesi i votimit që nisi në orën 07:00, përfundoi në orën 20:00 në të gjithë vendin.

Ndërkohë, ka filluar numërimi i votave filloi për 1.038 qendra votimi. Shifrat e para pritet të publikohen në orën 21:00.

Komisioni Zgjedhor i Malit të Zi do të publikojë rezultatet zyrtare të martën.

Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën këtë të diel ishin të tretat brenda 9 muajve dhe të dymbëdhjetat që nga vendosja e pluralizmit politik në vend, të cilat pritet të përcaktojnë nëse anëtari i NATO-s do të tejkalojë ndasitë e thella si dhe paqëndrueshmërinë politike për të vazhduar rrugëtimin drejt familjes europiane.

PSD-ja e Millo Gjukanoviç hyn për herë të parë në zgjedhje pa liderin e saj historik, i cili pas tri dekadash u tërhoq nga kryesimi i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç.

Në listën e votimit janë 15 parti dhe koalicione që nga ato që janë pro perëndimore deri tek ato pro serbe dhe pro ruse. Sipas shortit, në vendin e parë të fletëvotimit do të jetë partia “Është e qartë! – Partia Boshnjake – Ervin Ibrahimoviç”, e dyta “HGI – Në anën e drejtë të botës!”, dhe e treta “Drejtësi për të gjithë!” – dr. Vladimir Leposaviç”.

Lista e koalicionit të Partisë Popullore Socialiste dhe Demos “Për ty” do të jetë në vendin e katërt, lista e koalicionit të përbërë nga “Mali i Zi i Drejtë”, Lëvizja Demokristiane, “Mali i Zi i Lirë”, Partia Demokratike Serbe dhe Lëvizja për Plevlën do të jetë në vendin e pestë, me emrin “Koalicioni Popullor – të bashkuar dhe pikë”.

Në vendin e gjashtë renditet lista e Aleancës Shqiptare, koalicion i përbërë nga Forca, Aleanca Demokratike, Aleanca Demokratike e Malit të Zi dhe grupi qytetar Lëvizja për Tuzin, e ndjekur nga lista “Lëvizja për një Mal të Zi të sigurt – Sërxhan Periç”, dhe më pas lista “Lëvizja për Ndryshime – Mali i Zi i Pari – Nebojsha Medojeviç – Reforma për shpëtimin e vendit”.

Lista e “Po. Ne mundemi për një Mal të Zi qytetar!” është në vendin e nëntë. Në vendin e dhjetë është lista e koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale – “Së bashku! Për të ardhmen që ju takon – Danijel Zhivkoviç”.

Lista “Evropa tani – Milojko Spajiç” është në vendin e 11-të, e ndjekur nga “SDP – Për shtëpinë tonë”, dhe më pas lista e koalicionit të Lëvizjes Qytetare URA dhe Demokratëve “Aleksa dhe Dritan – Numëroni me guxim.!”.

Në vendin e 14-të është lista e koalicionit të Demokracisë së Re Serbe, Partisë Popullore Demokratike dhe Partisë Punëtore “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, dhe në vendin e 15-të është lista e Forumit Shqiptar, e cila përbëhet nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Unioni Kombëtar i Shqiptarëve, me emrin “Forumi Shqiptar – Nik Gjeloshaj “BESA për Zhvillim Evropian”.

Top Channel