Sot skadon afati i vendosur kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak për pranimin e propozimit ndërkombëtar që synon uljen e tensioneve në veri.

Nëse përgjigja do të jetë negative, atëherë do të interpretohet si shenjë se Kurti nuk dëshiron bashkëpunimin me SHBA-në e BE-në. Escobar doli me kërkesa të qarta për qeverinë e Kosovës lidhur me frenimin e përshkallëzimit te situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe lëvizjen drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Për këtë, pas takimit të së hënës, zyrtari i lartë amerikan i dha Kurtit dy ditë kohë, afat ky që përfundon sot.

“Për këtë gjë duhet të pajtohemi shpejt sepse të premten, unë dhe Mirosllav Lajcak duhet t`i paraqesim eprorëve tanë raportet nëse ishim të suksesshëm apo jo”, u shpreh Escobar. Shpërfillja e kërkesave te tyre mund të vijë me pasoja afatgjatë për Kosovën.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për SHBA-në, është i tërë komuniteti transatlantik. Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës… Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë. Washingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi”,  tha Escobar duke aluduar këtu për Kurtin.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne. Ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, ishte komenti i tij.

Top Channel