Nën mbikëqyrjen e vëzhguesve amerikanë, Gjykata e Posaçme i dha një fitore të vogël Zamira Durdës, nëna e Erisonit që u vra nga shpërthimi i municioneve, 15 marsin e 2008.
Kërkesa e saj e përsëritur për ti përfshirë në proces u pranua,ndonëse me vonesë dhe në një ditë kur SPAK duhet të shpallte pretencën.
Nuk dihet ende se përse prokurorët e posaçëm ndryshuan qëndrim minutën e fundit duke kërkuar njoftimin e të plagosurve gjatë tragjedisë .
Përpara se gjykata të aprovonte kërkesën e akuzës, avokati i Fatmir Mediut komentoi në seancë duke kujtuar se diçka e tillë nuk ishte kërkuar në seancën paraprake.
“Ky është krim shtetëror, nëse nuk zbardhet dosja Gërdecit do vazhdoj t’i kaloj të gjitha shkallët deri sa të marr drejtësi për tim bir”-thotë Zamira Durda.
Thirrja e 290 personave të dëmtuar apo të plagosur do të kryhet me shpallje publike dhe në websiten e gjykatës.
“Vendosjen e drejtësisë për tim bir e kam kthyer në motivin e jetës sime. Shkaku që jetoj është vendosja e drejtësisë”- shton Zamira.
Avokati mbrojtës i familjes Durda tha se do ketë surpriza në gjykim.
Më herët Fatmir Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar teksa këmbëngul pafajësinë mbi akuzat e shpërdorimit të detyrës që i rëndojnë për detyrën që mbante si Ministër Mbrojtjeje gjatë tragjedisë së Gërdecit.
Seancat e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së mbrojtjes, ndërkohë që gjykata urdhëroi që veç avokatëve të zgjedhur nga ish funksionari shteti t’i ofrojë Mediut edhe një avokat falas.
Top Channel