Rreth 120 profesorë dhe 26 organizata kundër transferimit të Studimeve Albanalogjike në Akademinë e Shkencave, letër të hapur qeverisë: Vendim arbitrar!

06/06/2023 12:33

Pas miratimit të VKM-së për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike, një grup profesorësh universitarë, intelektualë, shkrimtarë, studentë, aktivistë, oraganizata jo qeveritare, brenda dhe jashtë vendit, i janë drejtuar me një letër të hapur qeverisë ku shprehin shqetësim për ngjarjen.

Për më shumë se 120 intelektualë dhe 26 grupe firmëtarë të letrës, vendimi i Këshillit të Ministrave është në dëm të Akademisë së Studimeve Albanologjike, për këtë arsye ata janë rreptësisht kundër tij, duke e konsideruar atë arbitrar.

Ata paralajmërojnë se do të mbështesin çdo nismë ligjore, administrative a sociale që do të ndërmerret prej tyre në vazhdim.

Letëra e plotë:

Në solidaritet dhe mbështetje të kërkesave të Akademisë së Studimeve Albanologjike për mosmbylljen, por zhvillimin e saj.

Ne, studiues/e dhe hulumtues/e shkencorë/e brenda dhe jashtë Shqipërisë, shkrimtarë/e, publicistë/e, gazetarë/e, aktivistë/e, qytetarë/e të angazhuar/a, shoqata, organizata e kolektive të ndryshme, e kemi ndjekur me shqetësim të thellë vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 31 Maj 2023 për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe për shkrirjen e saj brenda Akademisë së Shkencave. Ndajmë mospajtimin tonë me këtë vendim arbitrar dhe të dëmshëm për të ardhmen e Studimeve Albanologjike, të cilin po ashtu e konsiderojmë cënues për lirinë akademike dhe zhvillimin e mendimit teorik në humanitete, specifikisht në dijet albanologjike krahasuese dhe kritike.

Me këtë letër të hapur dëshirojmë të sjellim edhe njëherë në vëmendje rëndësinë e ASAs me katër institutet e saj kërkimore jo vetëm për akademinë dhe publiken shqiptare, por dhe për kontributin e hulumtuesve/eve që punojnë aty në pluralizimin e dijes në nivel rajonal e global. Përkundër kufizimeve të shumta, ekipi i studiuesve/eve në ASA ka krijuar korniza institucionale për mundësimin e diskursit kritik dhe thellimin e dijes mbi shqiptarët në disiplina të ndryshme të antropologjisë kulturore dhe studimeve për artin, arkeologjisë, gjuhë-letërsisë, historisë, etj. Ky institucion ka trajtuar tema pak të eksploruara më parë dhe ka qenë i hapur ndaj paradigmave të reja teorike dhe praktikave kërkimore ndërshoqërore, ndërdisiplinare dhe ndërinstitucionale. Po ashtu vlen të përmendet dhe puna që ka bërë në drejtim të realizimit të një sërë marrëveshjesh dhe formash të ndryshme bashkëpunimi (projekte, publikime, vizita studimore) me institucione akademike ndërkombëtare me interes të madh për akademinë shqiptare, e cila në përgjithësi mbetet akoma e izoluar.

Në formë të përmbledhur, ASA ka kontribuar që puna me dijen shkencore në Shqipëri të jetë më e hapur, më demokratike, më e lirë dhe me më shumë diversitet, parakushte këto për dije njëherazi plurale dhe të avancuara. Këto praktika institucionale janë vlera të shtuara për shoqërinë shqiptare dhe do të duheshin marrë si shembull për t’u ndjekur dhe mbështetur dhe jo për t’u ndërprerë.

Kritika ndaj çdo institucioni, përfshirë ASAn, është sigurisht e nevojshme dhe e mirëseardhur por duhet të jetë konstruktive dhe të synojë sendërtimin dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. ASA dhe të gjitha institucionet e arsimit të lartë duhen fuqizuar dhe mbështetur për zhvillimin e hulumtimit dhe përparimin e dijes shkencore në mënyrë të decentralizuar, demokratike dhe me pavarësi akademike. Është e papranueshme që ndryshime dhe ristrukturime të përmasave të tilla të ndërmerren në mënyrë të njëanshme, pa u bazuar në ligj, pa u konsultuar me grupet e interesit, pa përfillur interesat akademike, dhe jo në përputhje me interesat e gjera publike.

Duke pasur parasysh si më sipër, përsërisim solidaritetin tonë me studiuesit/et e angazhuar/a të ASA-s dhe përkrahim çdo nismë ligjore, administrative dhe shoqërore që do të ndërmerret në mbrojtje të këtij institucioni dhe lirisë akademike në Shqipëri.

Ne do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje të madhe veprimet e mëtejshme të qeverisë në lidhje me këtë çështje me interes jetik për botën akademike shqiptare.

Top Channel