Kaloi një periudhë të vështirë shëndetësore, Papa Françesku lë spitalin pas vizitës mjekësore

06/06/2023 14:27

Papa Françesku është larguar nga spitali Gemelli i Romës, ku kreu një kontroll mjekësor dhe disa analiza, për shkak të periudhës së vështirë shëndetësore kohët e fundit.

Ati i Shenjtë kaloi disa ditë në të njëjtin spital në fund të marsit pas trajtimit për infeksion në frymëmarrje. Ndërsa muajin e kaluar 86-vjeçarit iu desh të ndalonte pritjet për shkak të etheve.

Dëshmitarët në portën Perugino të Vatikanit, një nga hyrjet kryesore në shtetin e qytetit, thanë se Papa Françesku u kthye në Vatikan pak kohë pasi u pa duke u larguar nga spitali dhe përshëndeti rojet siç bën zakonisht.

Vatikani deri më tani nuk ka komentuar arsyen e saktë të vizitës së tij të martën, por raportet e mediave lokale thanë se ai kishte shkuar në departamentin e spitalit të specializuar në trajtimin e pacientëve të moshuar.

Gjatë fundjavës ai mbajti një lutje të mesditës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Françesku, i cili shënoi vitin e tij të 10-të si Papë në mars, ka vuajtur një sërë sëmundjesh vitet e fundit – dhe shpesh përdor një karrige me rrota ose një bastun për të ecur për shkak të dhimbjes së vazhdueshme të gjurit.

Në korrik 2021, atij iu hoq një pjesë e zorrës së trashë në një operacion që synonte të trajtonte një gjendje të dhimbshme të zorrëve të quajtur divertikulit. Ai pohoi se e njëjta sëmundje ishte rikthyer sërish.

Atit të Shenjtë i mungon gjithashtu edhe një pjesë e njërës mushkëri, të cilën e kishte hequr kur ishte i ri në Argjentinë. Pavarësisht problemeve të tij shëndetësore, Papa ruan ende një agjendë të ngjeshur.

Të shtunën, Vatikani njoftoi planet që Françesku të vizitojë Mongolinë në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit. Gjatë vizitës së tij, Papa të vizitojë një komunitet të vogël të krishterë që është pjesë e qëllimit të tij për të vizituar katolikët në periferi të shtrirjes së Kishës.

Statistikat e ofruara nga organizata jofitimprurëse, Aid To The Church In Need, tregojnë se Mongolia është vetëm 2% e krishterë. Para këtij udhëtimi, Ati i Shenjtë do të vizitojë Portugalinë në fillim të gushtit ku do të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë dhe do të vizitojë faltoren e Fatimes.

Top Channel