46 mijë shqiptarë ikën nga vendi vitin e shkuar.
Pa llogaritur 12 mijë emigrantët e paligjshëm në Britani dhe 2000 qytetarët që fituan Lotarinë Amerikane.
Popullsia e Shqipërisë vazhdon të bjerë. Vitin e fundit tkurrja ishte 1.1%, ose rreth 32 mijë qytetarë më pak. Zvogëlimi i popullatës ka ardhur si rrjedhojë e emigrimit të lartë. Mbi 46 mijë persona emigruan në 2022.
“Shifra prej 46 mijë personash të larguar vetëm në vitin 2022, përbën shifrën më të lartë të të ikurve që nga viti 2011. Këtu nuk përfshihen as gati 12 mijë emigrantët e paligjshëm që shkuan vetëm gjatë vitit 2022 në Britaninë e Madhe dha as të dhënat zyrtare të konfirmuara nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, se vitin e shkuar fituan Lotarinë Amerikane 2000 shqiptarë. Pra në total shqiptarët e larguar në 2022 nga vendi janë më shumë se 60 mijë”, tha Erion Muça, ekspert punësimi.
“Këto shifra janë tregues i një zbrazje dhe boshatisje me shpejtësi të tregut të punës, nga të rinjtë që janë shtresa më vitale e po ashtu do të çojnë në plakjen e shpejtë të popullsisë , por edhe mungesën e interesit të çfarëdolloj investimi të huaj që mund ta shikonte Shqipërinë si një vend ku mund të bëhet biznes. Për ta frenuar këtë zbrazje të vendit hapi emergjent është trajtimi i emigracionit si urgjencë kombëtare. I gjithë Ballkani po e përjeton këtë plagë, pasi vendet perëndimore po u bëjnë oferta shumë të mira punë edhe fuqisë së pakualifikuar punëtore nga rajoni ynë i cili është gjendur i papërgatitur nga këto politika agresive rekrutimi”, shtoi ai.
Top Channel