Houthit shënjestrojnë sërish Arabinë Saudite, godasin me raketa balistike aeroportin kryesor të Riadit, anulohen fluturimet Të paktën 42 të vdekur, 11 të zhdukur, dëme pafund, kaos dhe frikë në Haiti.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive në Haiti, ku 13 mijë vetë u detyruan të zhvendosen nga shtëpitë e tyre prej vërshimit të ujërave që kanë prekur pothuajse gjysmën e kombit të varfër ishullor.
Qyteti i goditur është Leogane, në jug-perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince. Tre lumenj kanë dalë nga shtrati në atë zonë, duke bërë që veç varfërisë, jetët e mjaft njerëzve atje, të pllakosen edhe nga tragjedia.
“Arrita të shpëtoj vetëm njërin nga fëmijët e mi. Fëmija tjetër, tre vjeç, u rrëmbye nga uji. Mund t`i kisha humbur të dy, por Zoti më shpëtoi njërin sepse mbeti i varur në pemë”, tha një banor.
Kryebashkiaku i Leogane, Ernson Henry, tha se “banorët e qytetit ishin të dëshpëruar. Ata kanë humbur gjithçka. Ujërat ua kanë shkatërruar fushat, ua kanë shpërndarë kafshët shtëpiake”.
Kryeministri Ariel Henry njoftoi nga ana tjetër se qeveria e tij, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, po “merrte masa urgjente” për ta luftuar këtë katastrofë. Programi Botëror i Ushqimit u shpreh i gatshëm të furnizojë banorët e evakuuar me ushqime e ujë të pijshëm.
Infrastruktura e vendit është ndërkohë e dëmtuar nga tërmetet e shumta të mëdha, e operacionet e shpëtimit vështirësohen edhe nga problemet e vazhdueshme të Haitit me bandat kriminale, që kontrollojnë shumë zona të vendit.
Top Channel