“BE e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë”, Stano: Kur të jenë kushtet …

05/06/2023 17:29

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, kur të jenë kushtet e duhura”, kështu u shpreh zëdhënësi Peter Stano, i cili theksoi se në këtë fazë më e rëndësishme është ulja e tensioneve në veri.

Nga Brukseli, Stano është përgjigjur për një takim të mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç.

“Jemi gjithmonë të gatshëm të presim dhe të bëjmë thirrje për një takim të dialogut të nivelit të lartë mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti kur janë kushtet e duhura, kur të dy bien dakord, por në këtë fazë më e rëndësishmja është de-përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës”, tha Peter Stano-Zëdhënës i BE-së.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, po zhvillojnë një vizitë në Kosovë ditën e sotme, ndërsa nesër do të vijojnë programin në Serbi.

Stano deklaroi se vizita e tyre është për të zbatuar thirrjet evropiane dhe amerikane, që ata të ulin menjëherë tensionet.

“Ata do të ndjekin thirrjet evropiane dhe amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës për të de-përshkallëzuar menjëherë situatën dhe për të ndërmarrë hapa që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, dhe platforma për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme është me të vërtetë dialogu i lehtësuar nga BE”, tha ai.

Vizita e rëndësishme të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së ka në fokus situatën e tensionuar në veriun e Kosovës, ku prej 26 majit janë zhvilluar protesta të dhunshme nga serbët.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA