Zv.kryeministri Besnik Bislimi e quajti të pavërtetë deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha për CNN se Serbia i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet që nga viti 2013 e deri më sot.
Përmes një mesazhi në Twitter, Bislimi listoi disa prej shkeljeve të marrëveshjeve që ka bërë Serbia, duke theksuar se deklarata e Vuçiçit është propagandë e pastër.
Pika e parë, të cilën e listoi Bislimi është marrëveshja e vitit 2013, në të cilën përshkruhet shuarja e strukturave paralele serbe. E për këtë, Bislimi shkroi se Serbia kurrë s’e ka përmbushur këtë obligim.
Ndër pikat tjera, sipas Bislimit, është edhe lobimi i vazhdueshëm që Serbia dhe misionarët e saj e bëjnë kundër anetarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“1. Marrëveshja e vitit 2013, ka përshkruar shuarjen e strukturave paralele ilegale. Duke vazhduar t’i mbajë strukturat paralele në veri të vendit aktive dhe duke ofruar paga për personat që mbajnë ato funksione, Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk e përmbushi këtë obligim. Një dështim, efektin e së cilës po e ndjejmë edhe sot me tensionet e shkaktuara nga këto elemente kriminale në veri, ku huliganët e bandat të dirigjuara nga Beogradi po vazhdojnë të mbrojnë këto institucione paralele; E njejta marrëveshje e vitit 2013, kërkon nga Serbia që të mos e pengojë apo inkurajojë pale të treta që ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Dihen përmasat e përmbushjes së këtij obligimi nga ana e Serbisë së Vucicit. Njësoj të pazbatuara kanë rezultuar edhe obligimet e marra nga Serbia në marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit; marrëveshja për vulat doganore; marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave, marrëveshja për zhbllokimin e linjave të interkonjeksionit, marrëveshja për energjinë, pjesë të marrëveshjes për telekomin; marrveshja për vendosjen e zyreve ndërlidhëse; marrëveshja për certifikatat fitosanitare e shumë e shumë të tjera. Aq shumë shkelje, sa kemi konstatim zyrtarë të vetë Brukselit, sipas të cilit, lista e mospërmbushjes së obligimeve nga ana e Serbisë është dy herë më e gjatë se ajo e palës kosovare”.
Top Channel