Vishnja është një super frut, i pasur me vitamina A, C dhe E që konsiderohet një mjekim i vërtetë për organizmin e njeriut.
Emri botanik i vishnjes është Prunus Cerasus. Prunus vjen nga Greqishtja e lashtë dhe përkthehet “kumbull dhe qershi” ndërkohë që Cerasus vjen nga Latinishtja dhe përkthehet ‘qershi’.
Pra vishnja është qershia e vërtetë, ajo origjinalja. Vishnja është shumë e afërt me qershinë e ëmbël, por ka aciditet më të lartë se ajo, madje dhe më shumë vlera shëndetësore. Shqipëria ka një kulturë të pasur të kultivimit të vishnjes të cilën e gjejmë me bollëk në rajonet e Dibrës, Korçës dhe Pogradecit.
Kultivarët tradicionalë të vishnjeve shqiptare njihen shumë për kombinimin perfekt mes athtësisë së lartë plot vitaminë C dhe ëmbëlsisë në një raport të tillë që nuk njihet nga varietetet e tjera të importit.
Ndonëse kultivimi i vishnjës nuk është shumë masiv, ky frut është shumë i kërkuar, jo vetëm në tregjet vendase, por edhe më gjerë. Pema e vishnjes rritet deri në 10 metra. Ajo preferon vendet e lagështa dhe të freskëta por një terren të kulluar mirë. Vishnja piqet nga mesi i Qershorit deri në ditët e para të Gushtit në varësi të rajonit kultivues.
Përveç shijes së saj intensive, vishnja është një burim i pasur vitaminash, mineralesh dhe ushqyesish. Ajo përmban bakër, vitaminë C, vitaminë A, mangan, fibër, hekur, kalium dhe fibër, por edhe vitaminë B6.
Vlerat shëndetësore të vishnjes
Elementët kimikë që i japin frutit të vishnjes atë ngjyrën e saj karakteristike të kuqe kanë aftësi të shuajnë dhimbjen më mirë se aspirina.
Për më tepër, këto elementë shërbejnë edhe si antioksidantë shumë herë më efektivë se sa suplementët farmaceutikë të vitaminës E.
Studimet sugjerojnë që konsumi ditor i vishnjes çon në uljen e rrezikut nga sëmundjet kronike apo kardiovaskulare, inflamacioni, artiti e të tjerë.
Vishnjet gjithashtu kanë veti të mrekullueshme për mbrojtjen e zemrës. Ushqyesit, vitaminat dhe mineralet që gjenden tek vishnja ulin rrezikun e atakut në zemër e simptomave të tjera të rrezikshme.
Vishnja ka një shije shumë të mirë dhe një ngjyrë që të lë pa fjalë. AgroWeb.org ju tregon që konsumimi i vishnjes arrin të parandalojë akumulimin e peshës dhe yndyrnave në trup në krahasim me ata që nuk e konsumojnë këtë frut.
Për më tepër studimet kanë treguar që njerëzit që konsumojnë vishnje kanë një nivel më të ulët të kolesterolit dhe triglicerideve se sa njerëzit që nuk e fusin vishnjen në gojë.
Vishnja konsiderohet si një prej stimuluesve më të rëndësishëm të trurit. Konsumimi i rregullt i vishnjes sjell shumë perfitime për trurin. Studimet kanë zbuluar një lidhje direkte mes nivelit të bakrit në tru dhe krijueshmërisë.
Mangani që gjendet tek vishnja është një kurë e rekomandueshme kundër inflamacionit dhe problemeve me ndrydhjet e gjymtyrëve.
Si ta konsumoni vishnjen?
Përveç konsumit të frutave të freskëta të vishnjeve në Shqipëri njihen edhe mënyra të tjera të përgatitjes së tyre. Vishnjet e thata apo edhe në formë likeri përdoren në ëmbëlsira, por edhe në gatime të tjera.
Në disa zona të vendit, banorët përgatisin në shurup vishnjeje duke zier kokrrat pa bërthamë me sheqerin. Më pas shurupin e tretin në ujë. Të njëjtën gjë amvisat shqiptare bëjnë me shurupin e thanës.
Përdorime të tjera tradicionale të vishnjes
Vishnjet janë të dobishme kundër pagjumësisë për shkak të përmbajtjes së lartë të melatoninës.
Top Channel