U shiste grupeve kriminale armë zjarri, mina me telekomandë dhe kapsolla detonatore, arrestohet 66-vjeçari në Lezhë

02/06/2023 10:09

Një arsenal armësh është zbuluar në banesën e një 66-vjeçari në Lezhë, i cili I prodhonte ato e më pas ua shiste grupeve kriminale, apo personave që kryenin veprimtari kriminale.

Policia ka sekuestruar 3 mina me telekomandë, 2 armë zjarri, 40 kallëpe tritoli, 45 kapsolla detonatore, 45 krehra me fishekë dhe rreth 2 200 fishekë luftarak.

Në pranga ka rënë Q. A., 66 vjeç, banues në Arrëmollë, Lurë, i cili prodhonte mina me telekomandë, siguronte municion të konsiderueshëm luftarak dhe armë zjarri, me qëllim shitjen e tyre në qarkun Lezhës.

Policia thotë se Strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër dhe Prokurorinë, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel