Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Shëndetësisë, në veçanti për proceset e prokurimit, për procedimin e pagesave dhe për menaxhimin e specializantëve.
Në raportin e auditimit për vitin 2022, bëhet e ditur se në Ministrinë e Shëndetësisë janë evidentuar tri raste të specializanteve të rregullta që kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja.
Gjetje tjera në raport janë evidentuar edhe në proceset e prokurimit, ku në aktivitetin e ri-tenderimit “Furnizim me dokumente shëndetësore–receta për institucionet shëndetësore” anëtar i komisionit për vlerësimin e tenderit ishte caktuar zyrtari i cili kishte përgatitur specifikat. Kjo është në kundërshtim me nenin 62 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit (RrUOP) te ndarja e detyrave pika 62.3, paragrafi 4. Ky aktivitet kishte filluar me 08.03.2021 dhe kishte rezultuar me kontratë me 30.09.2022.
Për mangësitë në procedimin e pagesave, auditori ka identifikuar tri raste të pagesave, ku zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të shërbimeve/faturës (vonesat në zotime ishin nga një deri në pesë muaj).
Ky raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka rezultuar me shtatë rekomandime, prej tyre katër janë rekomandime të reja, dy të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.
Top Channel