Deputeti Flamur Noka, pjesë e “Rithemelimit” është paraqitur këtë të premte për herë të dytë në SPAK, pas kallëzimeve për vjedhje votash në zgjedhjet lokale në 14 majit.

Demokrati ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion Majlinda Bufin, fituesen e zgjedhjeve në bashkinë Roskovec. Sipas opozitës, Bufi kërcënonte qytetarët që të votonin për të.

“Ne do të denoncojmë përditë farsën elektorale dhe deformimin e vullnetit të shqiptarëve. Do më shihni shpesh në këto dyer sepse kam detyrë t’i qëndroj përballë këtij regjimi duke denoncuar çdo padrejtësi. Për të gjitha çështjet, janë regjistruar në SPAK, shpresoj të shkohet deri në fund dhe të mos ketë urdhër politik për t’i mbyllur ato. Organet e drejtësisë në rastin e farsës elektorale për interesa të Edi Ramës kanë mundësi për të vërtetuar se dalin nga xhepi i qeverisë, a do të bëjnë përpjekje për të dalë nga sqetullat e regjimit“, u shpreh Noka për mediat.

Noka ka denoncuar edhe aplikacionin “Aktivisti”, për shantazhim të qytetarëve gjatë procesit të votimit, të dielën e 14 majit.

Top Channel