Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka vizituar sot pjesëtarët e Policisë së Kosovë në veri të vendit.

Sveçla ka qëndruar në Jasenovik, në pendën e Liqenit të Ujmanit, në Junake dhe në Urën e Bistricës.

Ai shkruan në Facebook se sovraniteti është i patjetërsueshëm.

“Me vajzat dhe djemtë e Policisë së Kosovës që nuk kursejnë asgjë në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Në shoqëri normale demokratike, Republika është e veshur me sovranitet. Sovraniteti është i patjetërsueshëm. Faleminderit”, shprehet ai.

Ndërkohë, protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës vazhdojnë edhe sot, për të pestën ditë me radhë. Aleanca ushtarake e NATO-s ka rritur praninë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas tensioneve që ka shkaktuar hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Nga ana tjetër, Kosova është vënë nën presion diplomatik për të çtensionuar situatën. Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri.

Janë tri kërkesa që BE-ja nxori për Kosovën: Zgjedhje të reja, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to si dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA