Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka hequr dorë nga vendimi që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat në objektet komunale, pavarësisht situatës së krijuar në veri.
Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.
“Natyrisht që ka raste kur na dallojnë qasjet mirëpo këto nuk janë gjëra që janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare. Sot ne ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura që shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës prej të cilëve duhet të çlirohet edhe republika jonë demokratike por njëkohësisht edhe komuniteti serbë dhe për këtë po ashtu e kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Unë besoj që kryetarët e zgjedhur ndonëse dalja në zgjedhje ka qenë e ulët janë kryetarë legal të cilët kanë legjitimitet ndonëse jo të plotë dhe normal për shkak të presionit të Serbisë që serbët ti bojkotojnë zgjedhjet që ka qenë me frikësime, kërcënime dhe shantazhe tash ata kandidatë që kanë garuar dhe kanë fituar duhet ta bëjnë punën sepse për këtë paguhen dhe besoj që vendi i punës për kryetarët duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesa e Republikës. Ka gjendje të jashtëzakonshme sikurse ajo me pandeminë COVID-19 kur edhe ne nuk kemi qenë në vendet e punës sepse nuk kishte as vaksina mirëpo vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë dhe besoj se është mirë që të gjithë të jenë atje. Por, sërish është kryetari ai i cili i ka marrë votat e qytetarëve dhe është kryetar dhe i marrin vendimet për të cilat gjykojnë kryetarët. Unë jam i bindur që kemi bërë krejt çfarë kemi mundur, së pari i kemi shtyrë zgjedhjet për katër muaj, së dyti i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato janë konsideruar legjitime dhe të drejta edhe nga faktorët ndërkombëtar, së treti të gjithë e kanë pranuar rezultatin dhe së katërti ne i kemi pranuar që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi kurrfarë feste për fitoret në ato zgjedhje dhe madje edhe ceremonitë e betimit të zhvillohen në ndërtesa publike, epo tash do të duhet të fillojë puna.
Ministria e financave i paguan njerëzit për punën që bëjnë, struktura paralele ka Serbia, unë besoj gjithnjë e më të pafuqishme. Ne nuk mundemi të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare. Mos harroni kur kanë hyrë kryetari të hënën në vendin e punës në këto zyra të objekteve komunale ato kanë qenë të zbrazura të braktisura, përveç që kandidatët serbë e braktisën procesin zgjedhor ata i braktisën edhe ndërtesat. Ata që i kanë braktisur edhe procesin edhe ndërtesat mbajnë përgjegjësi për gjendjen e krijuar, jo ne që duam të punojmë dhe marrim pjesë në zgjedhje. Nuk mund të kenë përgjegjësi ata që kanë marrë pjesë në zgjedhje demokratike por ata të cilët bojkotojnë dhe kryejnë dhunë.
Besoj që kryetarët e komunave duhet të jenë në ndërtesat dhe zyrat e kryetarëve të komunave. Nuk ka nevojë për paralelizma kemi nevojë për normalitet republikë dhe demokraci komunë në funksion te qytetarëve. Cili është kuptimi që kemi ndërtesa publike për zyrtarët e shtetit nëse ato nuk shfrytëzohen.
Dhe e fundit, unë natyrisht që mund ta paramendoj zvogëlimin e policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave atëherë kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem të cilët e adhurojnë Millosheviqin dhe Putinin. Ata ose le të shkojnë në Serbi ose duhet t’i çojmë në burg, mirëpo nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e republikës nga bandat e tilla kur ato të largohen ose mbyllen ne do të mund ta zvogëlojmë padyshim numrin e policëve”, u shpreh Kurti.
Top Channel