Federata Ndërkombëtare e Tenisit mbron Gjokoviçin: Nuk ndalohen deklaratat politike

31/05/2023 18:02

Udhëheqësit ndërkombëtarë të tenisit deklaruan më 31 maj se tenisti serb, Novak Gjokoviç, i cili shkroi “Kosova është zemra e Serbisë” në një kamerë në French Open, nuk i ka shkelur rregullat e garës pasi që “deklaratat politike nuk janë të ndaluara”.

Gjokoviç e mbrojti veprimin e tij gjatë një interviste të dhënë për media serbe, duke thënë se Kosova është “djepi, kalaja” e Serbisë.

Federata Ndërkombëtare e Tenisit, organi drejtues i sportit, tha se kishin marrë një kërkesë nga Federata e Tenisit të Kosovës që kërkon që Gjokoviç të sanksionohet për veprimet e tij.

Megjithatë, ata theksuan se deklarata të tilla nuk bien ndesh me rregulloret për garat e Grand Slams, si French Open.

“Rregullat për sjelljen e lojtarëve në një garë të Grand Slam rregullohen sipas rregullores së Grand Slam, e administruar nga organizatori dhe rregullatori përkatës. Nuk ka asnjë dispozitë në këtë rregullore që ndalon deklaratat politike”, tha një zëdhënës i ITF-së në një deklaratë të dërguar me email.

Gjokoviç do të përballet më 31 maj me tenistin hungarez, Marton Fucsovics.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniçi, kishte thënë një ditë më parë se “Gjokoviç ka promovuar sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”.

“Deklaratat e mëtejshme, pas ndeshjes, të bëra nga një personazh i tillë publik, pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tensioneve dhe dhunës midis dy vendeve”, tha Krasniçi.

Sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet ta hetojë rastin, duke hapur procedura disiplinore kundër sportistit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA