Anëtarja më e re! Finlanda nën ritmin e NATO-s, nis stërvitjen ajrore ushtarake

31/05/2023 18:59

Anëtarja më e re e NATO-s, Finlanda nisi stërvitjet ajrore ushtarake të përbashkëta, ku do të ketë prezentë gjithsej 150 avionë.

Për gati dy javë, ushtarë dhe avionë luftarakë nga 14 vende, 12 prej të cilave janë anëtarë të NATO-s, do të marrin pjesë në stërvitje, kryesisht mbi rajonet veriore të Suedisë.

Finlanda u bashkua me NATO-n muajin e kaluar, dhe tashmë ka nisur stërvitjet e përbashkëta me aleancën ushtarake.

Pushtimi rus i Ukrainës bindi Suedinë dhe Finlandën vitin e kaluar që të braktisin politikat e vjetra të neutralitetit ushtarak dhe të kërkojnë sigurinë e një angazhimi ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Nga ana tjetër në Oslo po bëhen përgatitjet e fundit për mbledhjen jozyrtare të ministrave të jashtëm të NATO-s, në lidhje me ndryshimet që do të bëhen në këtë aleancë. Ku më e rëndësishmja deri më tani është anëtarësimi i Suedisë, e cila sipas Stoltenberg meriton që të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Pengesa më e madhe ka qenë zvarritja e çështjes nga Turqia, por rizgjedhja e Erdogan mund të ndryshojë gjithçka.

Nëse përfaqësuesi i diplomacisë turke nuk do të jetë i pranishëm në takimin përgatitor joformal të kësaj jave, ai padyshim do të jetë i pranishëm në samitin e rëndësishëm të Vilniusit më 11 dhe 12 korrik.

Top Channel