Pas suksesit të edicionit të parë, prej datës 1 e deri më 7 qershor 2023, kultura italiane rikthehet në Shqipëri me më shumë se 60 evente e nisma.
Ambasadori Fabrizio Bucci (Buçi) organizoi një ceremoni me rastin e përurimit të “Javës së Italisë”.
Muzika, sporti, kuzhina, shkenca, opera, arkitektura dhe dizajni do të jenë vetëm disa nga vlerat italiane protagoniste, të një udhëtimi që do të përshkojë Shqipërinë nga Veriu në Jug.
Një program i ngjeshur me veprimtari. Vlejnë për t’u përmendur kremtimi i Festës së Republikës më 2 Qershor në Sheshin Italia, grupi muzikor Planet Funk, Festivali i Shkencës, dita kushtuar Arbëreshëve, rikthimi i Pizza Village, maratona për autizmin si edhe vepra murale e realizuar nga Tellas si shprehje e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Nuk do të mungojnë as mbrëmjet kushtuar teatrit, operës dhe muzikës me shfaqje në sheshe dedikuar Verdit-t, koncerti i instrumentistit të njohur të trombës, Paolo Fresu dhe shfaqja në kujtim të gjeniut Enio Morricone.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve Evis Kushi dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Top Channel