Deputeti gjerman, Adis Ahmetoviç, i cili është raportues i grupit parlamentar të SPD-së për Ballkanin Perëndimor, i ka quajtur të papërgjegjshme ngjarjet dhe sulmet e ndodhura së fundmi ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve në veri të Kosovës.
Përmes një deklarate publike të martën, Ahetovic ka thënë se duhet të shqyrtohet mundësia që të shtohet numri i trupave të KFOR-it në Kosovë në hijen e situatës aktuale.
“Sulmet e djeshme gjithashtu bëjnë të qartë se KFOR-i është ende i nevojshëm pas 24 vitesh për të ofruar stabilitet dhe siguri. Një rritje në kontingjentin ekzistues të trupave duhet gjithashtu të shqyrtohet në dritën e situatës aktuale, në mënyrë që të jetë në gjendje të ndërhyjë më me vendosmëri në rast emergjence”, thuhet në deklaratën e deputetit gjerman.
Reklama
Duke vepruar kështu, sipas tij misioni i KFOR-it është dhe mbetet i paanshëm në misionin e tij për demokraci dhe siguri si dhe “nuk njeh ngjyrën e lëkurës, fenë apo përkatësinë etnike”.
Ai po ashtu ka thënë se tensionet e ndodhura ditëve të fundit janë dëshmi e mëtejshme se të gjitha palët e përfshira më në fund duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve.
“Sulme të tilla të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse duhet të dënohen në termat më të ashpër të mundshëm. Në të njëjtën kohë, ato janë dëshmi e mëtejshme se të gjitha palët e përfshira më në fund duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund spirales së dhunës që është përshkallëzuar sërish gjatë vitit të kaluar. Të dyja vendet po kërkojnë anëtarësimin në BE, por pa një marrëveshje themelore kjo do të mbetet e kotë për të dyja”, ka deklaruar tutje Ahmetovic.
Top Channel