Fiks Fare/ Studentët nxirren nga salla e provimit të licencës së mësuesisë, pas interesimit të Fiksit zgjidhet problemi

30/05/2023 20:40

Tre studente u ankuan në Fiks Fare se nuk u lejuan të futeshin në provimin shtetëror për t’u licencuar si mësuese, pas përfundimit të dy cikleve “bachelor”-it dhe masterit.

Pas interesimit të emisionit investigativ, Ministria e Arsimit ka zgjidhur problemin, duke i futur në provim.

Këto studente mbaruan ciklin e parë “bachelor” në universitete shtetërore  ndërkohë që masterat i përfunduan në 2 universitete private. Por, kur donin të futeshin në provimet e licencës për mësuesi, QSHA nuk i pranoi me pretendimin se nuk ju përputhen degët “bachelor” me masterin. Ndërkohë që universitetet ku kanë kryer masterin janë të licensuara dhe me programe të akredituara nga Ministria e Arsimit.

Fillimisht, në redaksinë e Fiksit u ankuan studentë të Universitetit Europian të Tiranës, se nuk merrnin dot licencën nga QSHA për ushtrimin e profesionit në mësuesi. Arsyeja ishte se ata nuk kanë të njëjtin emërtim në ciklin e studimeve në “bachelor” dhe master. 2 studente të këtij Universiteti tregojnë per Fiks Fare se kanë bërë “bachelor”-in në shtet për degën “Gjuhë Letërsi” dhe në privat kanë ndjekur degën “Gjuhë dhe komunikim”.

Kanë bërë edhe praktikën dhe kanë marrë dokument nga Zyra Arsimore Tiranë dhe kanë shkuar të hyjnë në licencë, por nuk janë lejuar. QSHA u ka komunikiat se nuk ju përputhen degët. Studentet thonë se edhe vitet e tjera kanë pasur të njëjtat profile dhe janë licencuar.

Ndërkohë, në redaksinë e emisionit Fiks Fare iu drejtua një ish-studente e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, e cila kishte përfunduar në atë universitet degën “Gjuhë Letërsi dhe Anglisht”. Studentja Rovena Ndriçim Kurti ka marrë diplomën e “bachelor”. Më pas ka bërë Master Profesional në Universitetin privat “Beder” për degën “Mësuesi, Gjuhë Angleze për Arsimin e Mesëm”.

Ka bërë stazhin në Kurbin, ku është pajisur me certifikatën nga Zyra Arsimore Kurbin. Me këto diploma dhe këtë certifikatë ka aplikuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) për të marrë licencën. Pasi ka bërë pagesën përkatëse për provimin, është nxjerrë nga provimi nga punonjësit e QSHA-së me arsyetimin se diploma “bachelor” dhe ajo master profesional nuk përputhen me njëra-tjetrën.

Disa studentë me të tilla probleme i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe kanë marrë zgjidhje. Të tjerë, si rasti i Rovenës, janë në pritje, pasi kanë bërë kërkesë dhe janë në pritje të një zgjidhje të këtij rasti. Rovena thotë se kërkon që t’i njihet diploma pasi si u lejua nga Universiteti Privat “Beder”? Dhe nëse nuk i njihet, përse nuk u lajmërua më parë se ka shpenzuar mijëra euro për t’u shkolluar. Ka udhëtuar nga Kurbini drejt Tiranës dhe askush se ka lajmëruar.

Pas ankesës, Rovena shkon në Universitetin “Beder” në Tiranë dhe kërkon informacione se përse u lejua të bëjë masterin në këtë Universitet kur nga QSHA nuk e lejojnë. Punonjësit i thonë se diploma është e saktë dhe për të gjitha kërkesat duhet t’i drejtohet Ministrisë së Arsimit.

Madje, ata i thonë se “fajin” e ka Universiteti i Durrësit. Shkon edhe te QSHA, teksa e orientojnë që ti drejtohet Ministrisë së Arsimit pasi ata vendosin.Për të dy rastet, Fiks Fare iu drejtua me kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Për studenten Rovena Kurti, ministria shkuan se: Me urdhrin e ministrisë së Arsimit të shtatorit të vitit 2021, programi i studimit që ka përfunduar personi në fjalë është riorganizuar nga 90 kredite në 120 kredite.

Ndërsa, UAMD ka aplikuar në portalin e-albania për rioriganizimin e programit të studimit të ciklit të parë “Bachelor” nga “Gjuhë- Letërsi- Anglisht” në “Bachelor” në “Gjuhë-Letërsi”. Sa më sipër, në zbatim të parimit të sigurisë juridike, si dhe në kuadër të riorganizimit të programeve të sipërcituara, vlerësojmë se duhet të garantohet pjesëmarrja e znj. Kurti në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit”.

E njëjta përgjigje i ka shkuar edhe Rovenës. “Pas ndërhyrjes së ‘Fiks Fare’, ministria e Arsimit më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar që të marr përgjigjen. Erdha dhe e mora përgjigjen, të cilën do e dërgoj te QSHA. Përgjigjja është pozitive dhe unë do të marr licencën. Faleminderit ‘Fiks Fare'” thotë Rovena Kurti.

Të njëjtin problem kishin edhe studentet nga Vlora dhe Shkodra, të cilat u ankuan te “Fiks Fare”. Në këtë rast, Ministria e Arsimit i dërgoi një shkresë Universitetit Europian të Tiranës, ku përgjigjja ishte e njëjtë. Të dyja u lejuan të futeshin në provim në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, për tu licencuar si mësuese! Ministria citon në këtë shkresë se; “Në kuadër të masave të marra nga UET për riorganizimin e programit, vlerësojmë se duhet të garantohet pjesëmarrja në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit e kandidatëve të cilët kanë përfunduar programin e ciklit të dytë master i shkencave në mësuesi për arsimin e mesëm, me 7 profile. Refuzimi i tyre për të marrë pjesë në provimin e shtetit cenon parimin e sigurisë juridike”. Pra, të tria studentet, pas ndërhyrjes së Fiks Fare, u futën në provim për t’u
licencuar mësuese!

FOTO GALERI
1/9

Top Channel