Ndonjëherë duket sikur është vështirë të ruhet tradita në ditët e sotme e sidomos nga të rinjtë, por ekspozita “Luga” na tregon të kundërtën.

E ndërthurur me gatimin, ekspozita vlerëson jo vetëm traditën, por na tregon edhe rëndësinë që duhet t’i japim ushqimit.

Ky është Ger Totraku, një i ri nga Lezha që ka hapur ekspozitën e tij nën emrin “Luga”.

Këto punime vijnë nga punishtja e tij në breg të detit me drunj të vjetër të llojeve të ndryshme.

“Duke menduar se punimet e drurit dhe punimi i dorës tani duket si diçka e vjetër dhe nuk na përket më,  unë kam dashur ta rikthej duke pasur një koncept, një mënyrë më origjinale, më të re, më të përshtatshme për njerëzit sot dhe për t’i dhënë vlerë artistike”, tha Totraku.

Ekspozita është e menduar në çdo detaj, që të vijë sa më pranë vizitorëve.

“Kam bërë gjithmonë luftë dhe gjithmonë në bazë të copave që gjej. Zakonisht marr dru deti. Format nuk i di në fillim si do ti bëj, thjesht e di që do ti jap sensin e lugës, që në fund të ketë vetëm një formë luge”, shtoi artisti.

Ndërsa ndan detajet nga puna e bërë për t’u finalizuar në këtë ekspozitë, rasti i Totrakut vjen si dëshmi, se tradita mund të bashkëjetojë edhe me të rinjtë e kohëve moderne, e pse jo t’i frymëzojë ata për vepra të mira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA