Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, u shpreh e shqetësuar nga situata në veri të Kosovës gjatë një konference për media në Prishtinë, Ajo tha se Qeveria e Kosovës “duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri”.

“Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”, tha Von Cramon.

Ajo i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta pyesë veten “nëse kjo është qeverisje e mirë”, teksa shtoi se duhet të punohet në ndërtimin e besimit me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe që ata të mos portretizohen si “kriminelë” dhe “kukulla të Beogradit”.

Deklaratat e zyrtares evropiane vijnë në ditën kur serbët lokalë në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 26 maj u rritën tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët e rinj, nën asistimin e policisë, u futën në ndërtesat komunale.

Policia u përlesh me protestuesit dhe për pasojë pesë policë u lënduan dhe u dogjën disa vetura policore.

Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësimin me veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilës i ka kërkuar që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë se protestuesit serbë do të tërhiqen kur nga veriu të tërhiqen kryetarët e rinj dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 maj, pasi krerët e mëhershëm komunalë nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL

Top Channel