“Bujqit na dëgjuan”, këtë deputeti Braçe e ka për fermerët e drithërave, pasi këtë fermerët mbollën me tepër grurë edhe pse me kosto tepër të larta.
“Gruri mbillet në mes shtatori në fillim tetori, në këtë periudhë çmimi i karburantit në këtë vend ishte 260 lekë. Kostoja për dynym shkon në 19.200 lekë të reja, ndërsa për hektarë 192 mije lekë te reja. Me këtë kosto patjetër që ne duhet të vijmë tek çmimi, 5,5 kuintal për dynym apo 55 kuintal për hektarë sipas llogarive të mia me një çmim deri ne 45 lekë për kilogram natyrisht që bujku del me një fitim që është pak më shume se paga minimale pra diku tek 55 mijë lekë të reja për hektar për bujkun për 9 muaj”, tha deputeti Erion Braçe.
Zëri i vetëm kritik i maxhorancës, Erion Braçe thotë se qeveria duhet të mendojë të mbrojë prodhimin vendas, duke i siguruar bujkut një kontratë të mirë shitjeje, dhe për këtë ai tregon dhe mënyrën se si.
“Atëherë unë mendoj që qeveria i ka të gjitha arsyet që të vendose apo të rregullojë çmimin me një çmim dysheme që justifikon këto kosto dhe ti bëjë bujqit që të mbjellin prapë. Dhe e dyta është mbrojta e prodhimit vendas nga importi. Dhe kjo bëhet me taksimin në doganë dhe çmimit të referencës. Çmimi duhet të jetë mbi 50 lekë për kilogram”, u shpreh ai.
Fermerët shtuan sipërfaqet me grurë, por mungesa e magazinimit do të jetë një tjetër problem për ta pas çmimit të ulët. Ministria e Bujqësisë sipas Braçes duhet ta kishte zgjidhjen e vendqëndrimit të grurit që në momentin që nxiti fermerët të mbjellin më tepër. Deri sa ky institucion të ketë një përgjigje, Brace jep zgjidhjen e tij.
“Mund të përdoret rezerva e shtetit për këtë punë. Ama rezerva e shtetit mund të përdoret për të blerë dhe sasinë e prodhimit të grurit brenda vendit me një çmim të rregulluar”, deklaroi deputeti.
Me çmimin e duhur të grurit dhe më punë e bujkut shqiptare, të gjithë ne mund të ushqehemi me bukë të lirë dhe cilësore.
Top Channel