Financial Times reportazh nga Bajram Curri: Burrat po largohen në masë nga Shqipëria, gratë fitojnë liri të reja

28/05/2023 13:10

Gazetarja britanike e Financial Times, Camilla Bell Davies ka kryer një reportazh nga qyteti i Bajram Currit.

“Nga 12 310 shqiptarët që erdhën me gomone në Britani në 2022-in, shumica prej tyre ishin nga ky qytet” e fillon ajo shkrimin e saj.

Edhe pse turizimi ka sjell një hov të ri, kostot e jetesës dhe papunësia janë të larta dhe shumica prej tyre ikin prej mërzisë dhe një sensi dëshpërimi, vijon shkrimi i saj, por largimi i burrave ka hapur mundësi të reja për gratë.

Ato, të lëna mbrapa, tashmë po marrin përsipër përballimin e jetesës, pasi meshkujt e zënë në rrjetat e trafikut me varka nuk dërgojnë para për muaj me radhë, sepse kanë borxhe për të paguar.

Camilla, në reportazhin e saj jep historinë e grave sipërmarrëse. Sipas saj, shumë prej tyre, sigurojnë bukën me aftësitë që kanë për të pastruar, thurur apo bërë punë shtëpiake ose të mbajnë një dyqan.

Një personazh i reportazhit i thoi gazetares se ndërsa gratë bëhen zonja shtëpie, burrat qëndrojnë në lokale duke pirë raki, shpeshherë duke u ndjerë të pafuqishëm.

Femrat përveç se zonja shtëpie, po mësojnë aftësi të reja nga liria e fituar. Gerta një prej personazheve të reportazhit ka hapur dyqanin e saj dhe drejton një uebsite. Ajo ka mësuar aftësi teknologjike dhe do të shkojë në universitet vitin e ardhshëm.

Lida, një tjetër grua, e cila ka një dyqan bizhuterish të bëra me dorë, tashmë nuk i kërkon më leje burrit të saj që është në Belgjikë, nëse dëshiron të dalë, vijon përshkrimin më tej shkrimtarja angleze Camilla.

Por, për çdo histori suksesi, ka edhe një dramatike nga pas. Shumë nëna duhet të punojnë që të shlyejnë borxhet e fëmijëve të tyre të ikur me varka.  Por, panorama e gjerë është me plot role pozitive. Mamatë tashmë po fokusohen në edukimin e vajzave të tyre, me djemtë që janë jashtë.

Camilla sjell edhe dy fakte interesante. Në vitin 2021, 71 për qind e të regjistruarve në universitete në Shqipëri ishin gra, nga 58 për qind një dekadë më parë. Ndërkohë pjesëmarrja e meshkujve në fuqinë punëtore ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 30 viteve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA