Premiera e shfaqjes së shumëpritur “Notre Dame de Paris” të dielën në stadiumin “Air Albania”, pritet të ketë shumë surpriza.
Ekskluzivisht producenti dhe dy protagonistët në rolet e Quasimodo dhe Frollo rrëfejnë eksperiencën e para shfaqjes, për Top Channel.
“Me Notre Dame ne po bëjmë tur në të gjithë botën, por ka diçka shumë të veçantë për Shqipërinë, sepse Elhaida Dani është Esmeralda jonë dhe ajo kishte shumë dëshirë ta sillte Notre Dame në Tiranë”, tha producenti Nicolas Talar.
“Unë luaj rolin e Quasimodos, njeriut të mirë. Çdokush afeksionohet me të. Nëse po jeton dashurinë, xhelozinë apo pasionin mund të gjesh veten në këtë shfaqe, sepse është një histori ende shumë aktuale”, tha Angelo Del Veccio, në rolin e Quasimodos.
“Unë luaj Frollon, priftin, një shpirt i errët. E luaj atë rol prej 900 herësh, që prej 1999. Çdo herë është si nga e para, sepse kaste të ndryshme të bëjnë të kesh përballje të reja”, tha Robert Marien në rolin e Frollos.
Po cilat disa nga sfidat që artistët kanë në zhvillimin e karaktereve të tyre, të shfaqjes rekord për nga audienca dhe interesi në mbarë botën.
“Është një nga sfidat më të vështira për një aktor dhe këngëtar sepse ka ndryshime të mëdha fizike dhe vokale. Gjithashtu ka shumë emocione që duhet të përcjellësh përgjatë zhvillimit të karakterit. Është një dramë shumë e madhe”, tha Angelo Del Veccio.
“Jam antagonizmi I kësaj historie. Kam rënë në dashuri me Esmeraldën si gjithë të tjerët, por është një përzierje e dëshirës dhe dashurisë”, tha Robert Marien.
“Është një ndër vendet më të mëdha që interpretojmë Notre Dame Kemi qenë dhe në arën e Veronës me pothuaj në të njëjtën sasi të biletave, por është magjepsëse të performojmë në një skenë kaq të madhe”, tha Nicolas Talar.
Ata e kanë një ftesë të veçantë për të gjithë publikun e interesuar të dielën mbrëma në një skenë gjigande si stadium Air Albania.
“Nëse doni të mernri gjithë pasionin që këta personazhe përcjellin, gjithë këtë energji, ejani nesër më stadiumin Air Albania”, tha Marien.
“E konsiderojmë veten ambasadorë të kulturës franceze. Nga Azia ne SHBA. Kjo na bën krenarë”, tha Talar.
Top Channel