Keni dhimbje shpine? Mbi 800 milionë njerëz do të jetojnë me dhimbje të shpinës në vitin 2050

27/05/2023 13:01

Dhimbja e shpinës është një problem shumë i zakonshëm tek të rriturit në mbarë botën.

Ka disa faktorë që mund të shkaktojnë dhimbje në shpinë, si mosha, mungesa e ushtrimeve, pesha e tepërt, lëndimi dhe disa kushte shëndetësore. Një studim i ri ka ngritur shqetësimin në lidhje me numrin në rritje të rasteve të dhimbjes së mesit, që është shkaku kryesor i paaftësisë globale.

Studimi i ri i Barrës Globale të Sëmundjeve (GBD) 2021, i publikuar së fundmi në Lancet Rheumatology, vlerësoi se deri në vitin 2050, rreth 843 milionë njerëz do të vuajnë nga dhimbjet e shpinës. Kjo do të ishte një rritje prej 36 për qind krahasimisht me vitin 2020, ku ishin rreth 619 milionë raste me dhimbje shpine.

Llogaritja është bërë në bazë të një analize të dhënash përgjatë  30 viteve (nga 1990 deri në 2020) në mbi 204 vende dhe territore në mbarë botën. Rritja e popullsisë dhe plakja e popullatës janë faktorët kryesorë që po nxisin numrin e rasteve të dhimbjes së mesit në nivel global, thuhet në raport.

Sipas studiuesve të Universiteti të Sidneit, rastet e dhimbjes së shpinës pritet të rriten në Azi dhe Afrikë. Ata parashikuan se Australia do të dëshmonte një rritje gati 50 për qind të rasteve të dhimbjes së shpinës deri në vitin 2050.

Studiuesit kanë shprehur shqetësimin se mos trajtimi i dhimbjes së shpinës mund të çojnë në një tjetër krizë të kujdesit shëndetësor, duke pasur parasysh se dhimbja e mesit është shkaku kryesor i paaftësisë në mbarë botën.

Duke vënë theksin se duhetë të ushtrohet një presion më i madh në sistemin e kujdesit shëndetësor për shkak të barrës në rritje që do të shkaktojë rritja e rasteve tek popullsia e dhimbjes së mesit, ekspertët theksuan nevojën për të krijuar një strategji kombëtare, të qëndrueshme për menaxhimin e situatës, duke u bazuar dhe në kërkimet e dritanishme.

Studimi në fjalë  konfirmoi se dhimbja e mesit është më e zakonshme te të moshuarit. Gjithashtu femrat vuajnë më shumë nga ky problem sesa meshkujt.

Dhimbja e shpinës i atribuohet faktorëve profesionalë, pirjes së duhanit dhe mbipeshës.

Opioidet për menaxhimin e dhimbjes së shpinës tek njerëzit e moshuar “jo ideale”

Trajtimet e zakonshme të rekomanduara për dhimbjen e mesit, duke përfshirë disa operacione si dhe trajtimin me opioidë, janë jo efektive ose kanë efektivitet të panjohur.

Autori kryesor, Profesor Manuela Ferreira nga Sydney Musculoskeletal Health theksoi se përdorimi i opioideve për menaxhimin e dhimbjes së shpinës te njerëzit e moshuar nuk është ideal pasi këta analgjezikë mund të kenë një ndikim negativ në shëndetin dhe cilësinë e jetës së tyre.

Bashkautorja Dr Katie de Luca, nga CQUniversity, paralajmëroi se, nëse nuk trajtohet siç duhet, dhimbja e mesit mund të jetë shkaktari i semunjdeve të tjera kronike si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe gjendjet e shëndetit mendor etj.

Top Channel