“Flasim”/ Elhaida Dani rrëfen fillimin e vështirë: U rrita në familje patriarkale, prandaj jam e ndrydhur

27/05/2023 09:23

Artistja Elhaida Dani ishte e ftuara e këtij episodi të “Flasim” të kryeministrit Rama, e cila ka folur për sfidat e hasura në karrierën e saj dhe për spektaklin më të shikuar në Evropë “Notre Dame De Paris” që mbahet për herë të parë në Tiranë ditën e nesërme.

Me suksesin që ka arritur majat, Elhaida ka rrëfyer fillimet e saj aspak të lehta, duke nisur nga familja e cila ishte patriarkale, por këngëtarja tregon sesi arriti të bënte ndryshimin më të madh të jetës kur iku në Itali.

Ti ke pasur një rrugëtim që ka vazhduar, që do t’i kthehem, por përpara kësaj kam marrë në dosjen tënde në shërbimet informative dhe aty ka një moment që me gojën tënde ti ke thënë dikur që familja jote është familje patriarkale. Ndërkohë që, nga kjo familje patriarkale që normalisht një vajzë edhe me talent duhet te kishte pasur ndrydhjen e peshës së patriarkëve ose të patriarkut dhe të bashkëpunëtoreve të tij vëllezërve, rezulton që ka dalë një baba, i cili ka bërë çdo gjë që vajza të shihet, të admirohet nga gjithë çunat e botës dhe të shkëlqejë, duke i parë të gjithë çunat e botës nga lartë poshtë”- u pyet Elhaida nga Edi Rama.

Kjo është e vërtetë. Me një fjalë është nga ndryshimet më të mëdha të jetës time sepse kam lindur në një familje patriarkale, siç janë shumica mund të them, e familjeve shqiptare sot. Dhe prandaj ndoshta kam pasur një karakter kaq të ndrydhur. Nuk flisja, nuk hapesha, nuk tregoja me të vërtet vetveten, duke u rritur sepse nuk e mendoja që opinioni im mund të kishte rëndësi. Dhe është një problem që shumë vajza e kanë sot në Shqipëri, jo vetëm, por flas për vendin tim. Kështu që, më ka ndodhur një ndryshim radikal në jetën time në moshën 19 vjeçare që vendos të iki në Itali sepse babai im, është e vërtetë patriarkal fanatik, këto mbiemra mund t’i jap, por kur kuptoi që unë kisha një talent për muzikën, aty tha “nuk mund ta ndrysh”. Me një fjalë “është e pamundur, është më e fortë sesa ajo vetë. Çfarë të ardhme mund t’i ofroj unë vajzës time që është më e mirë sesa ajo që mund t’i ofrojë vet vetes së vet me talentin e saj. Kështu që, në momentin që unë iki në Itali, jeta ime ndryshon totalisht. Nga dikush që për atë realizoi çdo gjë nga familja e saj dhe vëllezërit e saj, në ato momente çdo vendim i jetës sime duhet të merrej nga unë. Madje, madje të jepja dhe këshilla dhe “urdhra” njerëzve që më rrethonin për të mirën time por unë nuk dija, nuk dija të jepja urdhra. Unë merrja urdhra. Dhe kjo ishte një gjë që më është dashur pak kohë, vazhdoj të më duhet kohë ta kuptoj dhe është një gjë që ndoshta më përpara nuk ishte e lumtur që ishte pjesë e jetës time, por ky dyzim i këtyre dy stileve të jetesës më ka bërë atë që jam sot. E besoj që  mund të marr më të mirën e të dyja botëve”-tha Elhaida.

Teksa po flitej për patriarkalizmin e viteve të shkuara, Edi Rama rrëfeu historinë e nënës së tij sesi theu tabutë e atyre kohëve pasi u kthye nga Polonia ku kreu studimet.

E di çfarë më ka kujtuar kjo se dua ta ndaja me ty këtë. Më ka kujtuar historinë e gjyshit dhe nënës time. Gjyshi im ishte një personazh shumë i veçantë, por kjo është për një herë tjetër, por ajo që është shumë e çuditshme, duke pasur parasysh kontekstin e kohës ata ishin në Vlorë në Shqipërinë e viteve ’30 dhe ki parasysh mjedisi patjetër, patriarkal e të gjitha. Vajzat shumë shumë larg mundësisë për të qenë të pranuara si djemtë dhe gjyshi im donte patjetër të kishte një vajzë dhe bëri 8 djem përpara sesa të arrinte të bënte vajzën.

E shkreta gjyshja ime kaloi dhe një pjesë të rëndësishme të jetës të saj në rini, duke qenë shtatzëne dhe se në atë kohë nuk kishte nga këto ekot që shikojnë çfarë është dhe gjithmonë ajo “çfarë është”, ishte diçka që zbulohej kur nxirrte kokën tjetri apo jo? Ishte vetëm: shty, shty, shty. Do dali, do dali, do dali dhe ai rrinte në dhomën tjetër dhe kur dëgjonte që “doli djalë”, i thoshte gjyshes: s’ke bërë asgjë. Bëhu gati përsëri”. Dhe kur ime më lindi, ai la punën. La punën. Domethënë kishte një agjenci të tijën në portin e Durrësit në doganë dhe ia la dajës së madh, i cili ishte vetëm 15 vjeç të vazhdonte të mbante zyrën hapur dhe të bënte njëkohësisht shkollën tregtare, ndërkohë ky bënte thjeshtë këshilltarin për dajën dhe ndërkohë merrej me rritjen e vajzës së vet.

Dhe për ta mbyllur se është histori e gjatë, por për ta mbyllur ime më shkon me studime në Poloni, ku kuptohet gjërat ishin shumë më ndryshe dhe kthehet me pushime në Vlorë me një fund të shkurtër. Kur zbret në stacionin e autobusëve e priste një nga dajat, i cili direkt, direkt ia jep në shpullë. Ajo vjen dhe kuptohet që e priste i ati, i cili e sheh që ajo ishte e shqetësuar, por pa i thënë ajo asgjë. Ai e thërret dajën dhe i thotë: Zhduku nga shtëpia dhe ti nuk do rrish këtu deri kur kjo të jetë këtu. Shko ku të duash! Dhe asaj i thotë: Ti shko vish kostumin e banjës siç e ke atje në Poloni dhe ne do të shkojmë të dy në plazh’’. Ishte vajza e parë, që në moshën e rritur shkonte në plazh dhe bënte plazh me kostumin provokativ për jetën këtu, – natyrisht ishte kostum më konservator sesa të gjithë kostumet që janë sot nëpër plazhet e Shqipërisë – bashkë me gjyshin”-rrëfeu Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA