Bimë medicinale në vend të hashashit/ Në Lazarat hapet qendra për të mbledhur bimët

27/05/2023 15:16

Në Lazarat u vu në funksion qendra e grumbullimit të bimëve medicinale një projekt me dimension social mbështetur nga qeveritë zvicerane dhe austriake i emërtuar Canabis Alternative ose qendra CAT.

Që prej shkatërrimit të parcelave të kanabisit, jeta në fshatin e njohur edhe ndërkombëtarisht ka ndryshuar shumë, papunësia është mjaft e lartë dhe mundësitë për investime minimale.

Prej gati një dekade tani banorët zgjodhën si alternative për të jetuar rikthimin tek bimët medicinale, çajin, rigonin, trëndafilin, sherebelën. Aktualisht në Lazarat janë rreth 40 familje që sigurojnë të ardhura kryesore prej grumbullimit të bimëve. Qendra do t’i shërbejë të dy bashkive të Gjirokastrës dhe Dropullit si një zgjidhje sociale alternative për ekonominë.

“Kjo qendër do të shërbejë për sigurimin e punësimit dhe për rritjen e ekonimisë familjare të fshatit Lazarat por edhe më gjerë”, u shpreh kreu i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi.

Fenomeni kanabisit megjithëse jo prezent prej vitesh në këtë zonë ka lenë gjurmë të thella në jetën, mentalitetin dhe ekonominë e gjithë rajonit. Rikthimi tek bimët medicinale përmes punësimit të grumbulluesve në një fazë të dytë do të kërkojë investime të rëndësishme prej fermerëve për të kultivuar disa prej bimëve të pranuara nga habitati natyror si çajin apo sherebelën.

Prej mungesës së vëmendjes dhe vjeljes joselektive, habitati natyror i Malit të Sopotit që strehon me qindra bimë medicinale, është dëmtuar shumë gjatë dy dekadave të fundit duke penguar shumimi e disa bimëve. Bimë të tilla si rigoni apo salepi kanë reduktuar territorin me gati 40%.

Ekspertët e mjedisit dhe specialistët e pyjeve kanë kërkuar ndër vite që nëse grumbullimi i bimëve shihet si një alternativë për ekonominë ai duhet të shoqërohet me politika të rrepta mbrojtjeje.

Top Channel