Ukraina rrëzoi 10 raketa dhe mbi 20 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës në Kiev, qytetin e Dnipros dhe rajonet lindore, thanë zyrtarët ukrainas.

Moska ka shtuar sulmet e saj me raketa dhe dron mbi Ukrainën këtë muaj, duke synuar kryesisht objektet logjistike dhe infrastrukturore përpara një kundërofensive të pritshme ukrainase.

Forcat ajrore ukrainase njoftuan se kishin rrëzuar 10 raketa të lëshuara nga Deti Kaspik, 23 drone Shahed të prodhuar nga Irani dhe dy dronë zbulimi.

“Gjithsej 17 raketa dhe 31 dronë ishin lëshuar gjatë sulmeve, të cilat filluan rreth orës 22:00 me orën lokale mbrëmjen e djeshme dhe vazhduan deri në orën 5:00 të mëngjesit të sotëm“- thuhet në njoftim.

Disa dronë dhe disa raketa goditën objektivat në rajonet Kharkiv dhe Dnipropetrovsk, thanë zyrtarët. Nuk kishte asnjë fjalë të menjëhershme për ndonjë vdekje.

“Ishte një natë shumë e vështirë. Ishte e zhurmshme, armiku nisi një sulm masiv në rajon me raketa dhe dronë“- tha Serhiy Lysak, guvernatori rajonal i Dnipropetrovsk, në Telegram. “Dnipro ka vuajtur.”

Lysak bëri me dije se disa shtëpi, makina dhe kompani private, duke përfshirë një kompani transporti dhe një pikë karburanti, ishin dëmtuar. Dëmtime kishte pasur edhe në Kiev e Kharkiv. Zyrtarët në kryeqëndrën ukrainase thanë se çatia e një qendre tregtare, një shtëpi private dhe disa makina ishin dëmtuar. Guvernatori i rajonit të Kharkiv raportoi gjithashtu dëme në disa shtëpi dhe objekte industriale.

Top Channel