Rritja e pagave deri në fund të 2024/ Reforma e pagave do bëhet me tre rritje në një vit

26/05/2023 19:35

39 miliardë lekë premton qeveria të harxhojë për rritjen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve, administratës dhe punonjësve publikë.

Kështu pra në fund të 2025-ës paga e mësuesit në arsimin 9-vjeçar pritet të arrijë në nivelin 95 550 lekë nga  54 800 lekë aktualisht, rritje me 57% ndërsa për mësuesin në gjimnaz, pritet të arrijë në  106 800 rritje me 55%. Rritja do të përfshijë mjekët e përgjithshëm që do të ketë një pagë 131 672 lekësh. Gjithashtu infermierët do të kenë një pagë në nivelin 87 118 me 57 % rritje.

Për punonjësit e sigurisë apo nivelin inspektor, paga bazë pritet të shkojë në 97 500 lekë një rritje me 63% nga paga aktuale. Në të njëjtin nivel pritet të jetë rritja edhe për zjarrfikësit.

Sa i përket administratës publike rritja do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave për çdo kategori, por nivelet e rritjes së tyre janë në shifrat e 10 000 – 35 000 lekëve. Magjistratët bazë, pas vendimit edhe të gjykatës kushtetuese nuk do të kenë pagë më të ulët se 153 000 lekë.

Por si do t’i gjejë qeveria fondet për të përballuar nivelin e ri të pagave. Ekspertët mendojnë se janë disa burime.

“Varet se ku e vendos prioritetin. Mund të lësh shërbime të tjera pa i pasur prioritare. Unë do të mendoja se nëse kjo rritje do të ishte bërë gradualisht vit pas viti, do të ishte më e përballueshme dhe do të kishim efekte dhe në produktivitetin e punonjësve”, tha Edison Zaçaj-ekspert ekonomie

Në 2022-in qeveria arriti të mblidhte 580 milionë euro më shumë, ndërsa në katër muajt e parë të këtij vitit ka arritur të mbledhë 170 milionë euro më shumë në buxhet, por shifrat e rritjes janë ngadalësuar, ndërsa parashikimet janë edhe për ulje të rritjes ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA