Rikonstruksioni i shkollave, drejt përfundimit gjimnazi “Partizani” në Tiranë

26/05/2023 15:36

Rikonstruksioni i gjimnazit “Partizani” në kryeqytet është drejt përfundimit dhe në qershor do të presë maturantët për ceremoninë e diplomimit. Ndërkohë që në shtator do të jetë përfundimisht gati, me hapësira më të mëdha e kushte më të mira.

“Për ata që menduan se ndërtimi i shkollave ishin muhabete fushate, mund t’ju them se nuk kanë parë gjë akoma! Shkollat do vazhdojnë të ndërtohen, ashtu siç do vazhdojmë të mbjellim pemë. Unë besoj te fushata e përditshme sepse njeriu punon përditë, jo vetëm në 30 ditët e fushatës. Lajmi i mirë është se do të përgatitemi që në qershor të kryejmë diplomimin këtu dhe të sigurohemi që, të paktën diploma e ‘Partizanit’ të përkojë edhe me një ceremoni te shkolla e re ‘Partizani’. Do të ketë shumë pak gjëra që ngjajnë me shkollën e vjetër, ndoshta vetëm ca kujtime të oborrit. Çdo gjë është transformuar totalisht”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj  ftoi të gjithë prindërit që t’i regjistrojnë gjatë muajve të verës fëmijët në këtë gjimnaz.

“Ftesa për të gjithë prindërit është: tani që jemi në fund, do të shfrytëzojmë të gjithë verën për të bërë mobilimin e shkollës, për të gjitha pajisjet higjieno-sanitare dhe ndriçimin led. Kjo do të thotë se garancia për të pasur një shkollë fantastike, si të gjitha shkollat e reja të Tiranës brenda lagjes ose brenda konturit të rrugëve, afër shkollës ‘Partizani’, është 100%. Kemi sot një garanci të një shkolle çka na mundëson t’iu bëjmë një ftesë të gjithë banorëve të vijnë dhe t’i regjistrojnë fëmijët këtu. Nuk ka asnjë arsye pse të dyndemi në shkollat e tjera”, shtoi Veliaj.

Top Channel