Është shitur me çmimin rekord të 6.2 milionë dollarëve një orë dore, që dikur i përkiste të perandorit të fundit të Dinastisë kineze Qing.
Ora Patek Philippe, që i përkiste perandorit Aisin-Gioro Puyi, u ble në ankandin e organizuar në Hong Kong nga një koleksionist aziatik. Jeta e perandorit Aisin-Gioro Puyi është pasqyruar në filmin e famshëm The Last Emperor, i cili ka fituar disa çmime Oskar.
Çmimi real i shitjes së orës është 5.1 milionë dollarë, ndërkaq pjesa tjerë e vlerës është taksa që duhet të paguajë blerësi. Thomas Perazzi, përgjegjës për pjesën e orëve në shtëpinë e ankandeve Philips Asia, i tha Reuters se ky ishte “rezultati më i lartë i shitjes ” i çdo ore të dorës që dikur i përkiste ndonjë perandori. Gazetarja Nonna Working kujtoi se vlerën e orës e shton ndjeshëm fakti që ajo është pjesë e historisë.
“Interesi për të shkon përtej orës në vetvete, sepse është si një zbulim historik të themi. Kemi situatën kur perandori i fundit u mbajt i burgosur në Bashkimin Sovjetik, dhe askush nuk e dinte këtë. E ky fakt sot po i kthehet botës për ta mësuar të gjithë”, u shpreh gazetarja Nonna Working.
Ora e mbajtur nga perandori i fundit kinez është një prej tetë orëve të këtij lloji, Reference 96 Quantieme Lune, që kishte prodhuar Patek Philipe. Perandori Puyi ia kishte dhënë dhuratë këtë orë përkthyesit të tij rus, në kohën kur ai ishte i burgosur nga sovjetikët. Pas humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore më 1945, Puyi ishte arrestuar në Aeoportin Shenjang të Kinës nga Ushtria e Kuqe sovjetike dhe u mbajt si i burgosur i luftës dhe qëndroi në një kamp ndalimi në Kabarovsk të Rusisë për pesë vjet.
Top Channel