Mozaiku ‘Shqipëria’/ Nebiu: Në ’93-shin bëra ndryshime për të shmangur shkatërrimin e saj

22/05/2023 13:23

Të ftuar në ArtKand kanë qenë dy artistët që kanë realizuar mozaikun “Shqipëria” Aleksandër Filipi dhe Agim Nebiu.

Ky i fundit ka treguar edhe momentin kur mozaiku ishte gati të shkatërrohej, por ai arriti ta shpëtonte dhe të jetë akoma dhe sot në qendrën e Tiranës në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.

Jetona Koçibelli: Zoti Agim ju keni qenë në një mbledhje të rëndësishme më keni thënë ku i keni shpëtuar jetën këtij mozaiku, si ka ndodhur?

Agim Nebiu: Është e vërtetë sepse dolën probleme. Në momentin që hoqën shumë monumente në Shqipëri, në Tiranë, doli dhe problemi i mozaikut dhe ishin simbolet libri i kuq,  ylli, u krijua një shkëndijë që ata u kapën për të rrezikuar mozaikun dhe bënë një mbledhje urgjente në ministri. Na thirrën, unë mora ftesën, shokët nuk e di nëse ishin thirrur, në atë kohë nuk kishte as telefona. Ishte viti 1993 edhe aty doli vendimi. Megjithëse ishin të gjithë dashamirës të mos hiqej mozaiku dhe në qoftë se do bëhej ndonjë ndërrim ose të zëvendësohej ndonjë gjë e vogël, megjithëse kishte tendenca për të shtuar simbole të tjerë se dolën lloj lloj partish në atë kohë. Unë nuk pranova, thashë do bëj një bocetë, retush, çfarë mund të rregulloj, në qoftë se e aprovoni jam gati.

Jetona Koçibelli: Dhe çfarë hoqët?

Agim Nebiu: Librin dhe në vend të librit vura një xhaketë. Librin e kuq dhe yllin mbrapa dhe yllin e vogël që ishe në flamur që u hoq nga kushtetuta. Pasi mbarova, u pëlqye, u duartrokit nga parlamenti shqiptar dhe mozaiku vazhdoi rrugën deri në ditët tona.

Mozaiku Shqipëria është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai u përurua bashkë me muzeun me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë më 28 nëntor 1981 në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA