Situata në Ballkanin Perëndimor, e sidomos në Kosovë e Serbi përbën boshtin e takimit të sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian në Bruksel.

Ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e atyre iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e rajonit.

Temat kryesore në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe një herë BE-ja do të përsërisë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, megjithatë do të kërkohet nga vendet edhe zbatimi i detyrimeve të marra për vënien në jetë të reformave dhe për të reformat dhe për të përshtatur politikën e tyre të jashtme me atë të BE-së.

Kjo më shumë vlen për Serbinë, e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Shqetësim për bllokun përbëjnë dhe kërcënimet për një rrezik të integritetit territorial të Bosnje Hercegovinës.

Pas sinjaleve të përcjella nga krerët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor nga samitet e Bërdos në vitin 2021 dhe Tiranës në vitin 2022, blloku europian i ka ndihmuar partnerët të zhvillojnë kapacitetet e tyre edhe sa i takon përballjes me kërcënimet hibride, posaçërisht ato kibernetike dhe me fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm.  BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA