Kërkesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enveri Dugolli drejtuar Prokurorit të Specializuar në Hagë për të hetuar masakrën e Dubravës po konsiderohet si test juridik për Specialen.
Përkundër që ka nisur dy shkresa karshi ZPS, Dugolli nuk ka marrë ndonjë përgjigje, por beson se kjo gjykatë ka juridiksion lëndor ta trajtojë edhe kërkesën e tij. Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaruan për KosovaPress se nuk i komentojnë hetimet e tyre në medie.
24 vjet pas masakrës së Dubravës, i mbijetuari i kësaj masakre, Enver Dugolli po kërkon hetim nga ana e Gjykatës Speciales për krimet e Serbisë ndaj të burgosurve shqiptarë. Enver Dugolli, i cili është edhe deputet i Lëvizës Vetëvendosje konsideron se përmes shkresave të tij ka dhënë mjaftueshëm argumente që Specialja të nis hetimin e kësaj masakre.
Test juridik për Gjykatën Speciale kërkesën e Dugollit e konsideroi avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, i cili për KosovaPress u shpreh se gjithmonë ka pasur dilema nëse kjo gjykatë do t’i trajtojë apo jo të gjitha krimet e pretenduara në Kosovë.
Edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj kallëzimin penal të deputetit Dugolli karshi Zyrës së Prokurorit të Specializuar e konsideroi si një test për këtë gjykatë.
Gjatë këtyre ditëve po bëhen 24 vjet, që në Burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Ndërsa, për këtë masakër ende nuk është dënuar askush.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015. DHSK dhe ZPS hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Top Channel