Opozita vazhdon të gjejë fajin për humbjen e thellë në zgjedhjet e 14 majit te qeveria dhe kryeministri Edi Rama.
I ftuar këtë të premte në “Top Talk”, ndonëse pranon se opozita duhet të mbajë përgjegjësi, Luan Baçi shprehet se qeveria intimidoi demokratët për të mos votuar. Sipas tij, qendrat e votimit të demokratëve ishin ndryshuar, ndërsa socialistët mbroheshin në zgjedhje nga vetë policia dhe patronazhistët. Në debat u përfshi Ervin Bushati, që pyeti se përse opozita nuk nxjerr provat, por bën vetëm aludime.
Ndërkohë, demokrati u shpreh se opozita nuk mundi të bashkohej pasi dy ish-kryedemokratët Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj janë blerë nga kryesocialisti Edi Rama.
Debati mes Bushatit dhe Baçit:
Baçi: Askush nuk thotë se opozita nuk ka përgjegjësi dhe ne ishim perfekt. Ne e pranojmë dhe e dimë mirë që duhet të rishikojmë veten në fillim. Por, kur themi refuzim dhe kur themi mospjesëmarrje në zgjedhje, të jeni të bindur që nuk është kjo e vërteta. E vërteta ka shumë të vërteta brenda. Ka të vërtetën e shumë zgjedhësve që u ishte ndryshuar qendra e votimit. Kanë qenë mijëra zgjedhës të tillë dhe nuk kanë marrë pjesë në votim. Kemi shpopullim që ka vite që PD e ngre me të madhe këtë problem. Është një ikje masive e qytetarëve dhe me shumicë janë demokratë. Përpos thirrjes së kryeministrit për të justifikuar këtë mospjesëmarrje në zgjedhje, të shumë demokratëve që kanë shkuar në QV dhe nuk kanë gjetur emrin dhe nuk kanë shkuar në QV tjetër, u shoqëruar para kohe me thirrjen e tij për të mos marrë pjesë në votime.
Një kryeministër që u thotë qytetarëve të vet mos dilni për të votuar, vetëm Edi Rama e ka bërë një gjë të tillë. Parë në këtë këndvështrim, nuk është një refuzim i votës së demokratëve ndaj PD-së, por janë barriera që i janë vënë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë nga kjo mazhorancë. Presioni, shantazhi, kanë qenë të pranishëm.
Xhokaxhi: Si do t’i vërtetoni këto?
Baçi: Janë të shumta faktet dhe provat, videot dhe fotografitë që janë bërë nga vëzhguesit tanë.
Bushati: Ne jemi në kohën e realitetit instantan. Nuk ka dalë një video. Po të kishte kaq shumë prova, si nuk ka dalë një?
Baçi: Ti ke të drejtë në fakt se keni qenë shumë të organizuar dhe të ruajtur, se ju ruante edhe policia, edhe patronazhistët. Veprimet i keni bërë në fshehtësi të plotë. Gjithsesi, opinioni qytetar është i mbushur zoti Bushati dhe të gjithë qytetarët e dinë mënyrën se si ju e bëtë këtë fushatë, e dinë mënyrën si u votua. E dinë mënyrën si i morët ato bashki. Qytetarët e dinë të vërtetën si është. Vërtetimet do të bëhen hap pas hapi. Duhet të keni parasysh që opozita është në pozitë të pavaforshme, nhuk disponon as zyra, as mjete të tjera. Këto vështirësi na vijnë si rezultat i presionit të pushtetit.
Xhokaxhi: Nëse ju e kishit të qartë që në fillim që Rama po punonte për të çarë PD-në, pse nuk e lejuat?
Baçi: Lulzimit dhe Enkelejdit nuk i thoshim dot hajde këtu, se ata varen nga Edi Rama. Ata edhe sot po vazhdojnë misionin e tyre. Komisionerët ua dha atyre Rama. Fondet e PD-së i morën ata. Opozita ishte në kushtet më të pafavorshme që mund të ketë qenë ndonjëherë në këto 32 vite. Për mua, është sukses që Partia Demokratike mundi të hyjë në sistem, për arsye se donte të mbante një opozitë false.
Top Channel