Specat e rritur brenda shtëpisë ofrojnë një pamje shumëngjyrëshe mjaft të këndshme.

Përpos bukurisë, ato rriten lehtë pa shumë mund, janë të pasur në vlera ushqyese dhe kanë një shije të mrekullueshme. Nëse kopshtarinë në kushtet e shtëpisë  e keni me pasion, atëherë jeni në vendin e duhur për të mësuar më shumë se si të rrisni specat me duart tuaja.

Specat mund t’i mbillni sipas dëshirës në ngjyrë të kuqe, verdhë, portokalltë dhe jeshile.

Si të mbillni speca në kushtet e shtëpisë

Përpara se të ndërmerrni këtë nismë, bëni përzgjedhjen e farës apo fidanit. Nëse do t’i rrisni specat nga e para dhe brenda shtëpisë atëherë blini fara. Në të kundërt mund të blini fidanë të gatshëm dhe t’i rimbillni pasi të ketë kaluar ngrica.

Mbjellja e farave të specit në ambient të brendshëm do t’ju kursejë para dhe kohë. Farat duhen mbjellë 8-10 javë përpara ngricës së fundit dhe fillimit të pranverës.

Mbushini vazot e përzgjedhura me dhe organik dhe vendosni nga tre fara në secilën prej tyre.

Farat mbulojini me dhe.

Vazot vendosini në një zonë të ngrohtë e të ndriçuar mirë. Dheu në vazo duhet të jetë i lagësht por jo i tejngopur me ujë. Kur farat të çelin filizë, ujitini rregullisht dhe vendosini jashtë në ballkon në një vend të mbrojtur nga era.

Ditën e parë, vazot duhet të qëndrojnë jashtë 2 orë.

Ditën e dytë, vazot duhet të vendosen në një vend më të ndriçuar nga dielli dhe duhen mbajtur për 4 orë.

Në 12 ditët e tjera të ardhshme, lërini vazot të qëndrojnë më gjatë në ballkon dhe sigurohuni që i kap dielli.

Përdorni fertilizues organikë për pasurimin e dheut të vazos dhe më pas transferojini filizët në vazo të tjera të vendosura në ballkon. Dheu duhet të jetë i ngrohtë, në të kundërt specat nuk do të rriten.

Për të garantuar ngrohjen e tij, mbulojini vazot me qese plastike të paktën 2 javë përpara mbjelljes.

Në secilën prej vazove me filizë vendosni kunja dhëmbësh ose fije shkrepëse për tu dhënë specave një sistem mbështetës.

Sapo filizët të lëshojnë gjethe, sigurohuni që të fertilizoni dheun e vazove një herë në javë deri sa të formohen specat. Në rastin e fidanëve të gatshëm, sigurohuni që ato të shijojnë diku mes 6 dhe 8 orëve diell në ditë.

Ujitini rregullisht dhe ushqejeni dheun me fertilizues organik. Sigurohuni që ato kanë një sistem të mirë mbështetës teksa rriten.

Sapo specat të kenë arritur madhësinë e nevojshme, përdorni gërshërë për t’i mbledhur por mos i këpusni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA