Shpronësimi në veri, rrugë e “rrëshqitshme” për Qeverinë e Kosovës

18/05/2023 12:46

Për Mashan Jovanoviçin nga Leposaviçi – pjesa veriore e Kosovës – shpronësimi i tokës që ka filluar Qeveria e Kosovës në këtë rajon me shumicë serbe, është “uzurpim apo sekuestrim i pronës personale”.

Ai pretendon se tetë hektarë të pyllit të tij në fshatin Mekiniçë, që gjenden pranë shtëpisë së familjes ku ai jeton, duhet t’i nënshtrohen shpronësimit. Kështu thotë se i kanë thënë ish-zyrtarë komunalë.

Leposaviqi është ndër ato komuna, ku zyrtarët e komunitetit serb – të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe – kanë dhënë dorëheqje gjashtë muaj më parë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Jovanoviç vlerëson se Qeveria e Kosovës po kryen një proces “ilegal” të konfiskimit të pasurisë.

“Populli është i zemëruar dhe këmbëngulës. Ne duam të qëndrojmë atje, ta ruajmë pronën tonë”, thotë Jovanoviq.

Qëndrim të ngjashëm shprehin për Radion Evropa e Lirë edhe banorë të fshatrave Dren dhe Zaselë, nga e njëjta komunë, të cilët mendojnë se edhe prona e tyre do të jetë pjesë e shpronësimit, por nuk duan të deklarohen publikisht për media.

Pronarët e parcelave i janë drejtuar Avokatit të Popullit në Prishtinë, Naim Qalaj, zyra e të cilit i ka thënë REL-it se “hetimi është në vazhdim”.

“Pas hetimit të rasteve në bazë të dispozitave ligjore, Avokati i Popullit do të dalë me opinion publik”, kanë thënë nga ky institucion.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës thotë se qëllim i shpronësimit është “realizimi i projekteve infrastrukturore me rëndësi publike” dhe se po procedohet në përputhje me ligjin.

Policia e Kosovës konfirmon për REL-in se në zonën e shpronësuar është planifikuar ndërtimi i një stacioni policor. Kurse, nga Bashkimi Evropian shprehin shqetësim për “krijimin e bazave të policisë në toka private dhe shoqërore”.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mesin e muajit janar, kur një pjesë të tokës e ka shpallur “pronë të paluajtshme me interes të veçantë publik, e cila është e nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Më 2 shkurt, ka miratuar një vendim, me të cilin ka autorizuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që “të kryejë punë përgatitore për të përcaktuar përshtatshmërinë potenciale të një ose më shumë parcelave të patundshmërisë, për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Në fshatin Dren, ndërkohë, kanë filluar punimet për ndërtimin e stacionit të Policisë Kufitare të Kosovës – gjë të cilën popullata vendase e ka kundërshtuar me protesta.

Asokohe, Policia e Kosovës i ka thënë REL-it se qëllimi i ndërtimit të këtij stacioni është “të garantojë sigurinë e qytetarëve, të menaxhojë kufirin dhe të parandalojë kontrabandën në atë rajon”.

Pasi banorët kanë penguar vazhdimin e punimeve me protesta, Qeveria e Kosovës, në mes të shkurtit, ka mbajtur debate publike në Leposaviq dhe në Zubin Potok, ku janë dëgjuar akuza për shkelje të procedurave ligjore nga autoritetet qendrore.

Banorët, toka e të cilëve është objekt i shpronësimit, e kanë ngritur këtë çështje edhe në Gjykatën Themelore dhe atë të Lartë në Prishtinë.

Avokati i tyre, Nebojsha Vllajiç, ka thënë në debate publike se vendasit nuk mund të bien dakord për një çështje me rëndësi publike, nëse nuk u thuhet zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me lokacionin që është objekt i shpronësimit. Sipas tij, i gjithë procesi është jotransparent.

REL-i e kontaktoi Vllajiçin më 15 maj, por ai refuzoi të flasë me arsyetimin se Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e ka angazhuar, është përgjegjëse për deklaratat lidhur me shpronësimin.

Nga kjo zyrë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk pranuan të japin ndonjë deklaratë.

Përndryshe, shpronësimi në veri është kundërshtuar edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sa tokë i nënshtrohet shpronësimit?
Në mbledhjen e 10 majit, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin preliminar për shpronësimin e tokës në Leposaviç dhe në Zubin Potok.

Në të njëjtën mbledhje, Avni Zogiani, zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se Departamenti për Shpronësim ka konstatuar se janë respektuar dispozitat ligjore dhe se për këtë arsye është vendosur që Qeverisë t’i dërgohet propozimi preliminar për miratimin e ligjshmërisë së shpronësimit.

Nuk është bërë e ditur se sa tokë do të shpronësohet, por Zoran Todiq, ish-kryetar i Komunës së Leposaviçit, ka thënë më herët se bëhet fjalë për rreth 83 hektarë tokë në atë komunë.

Në një deklaratë të mëparshme për REL-in, ai ka thënë se trembëdhjetë parcela janë në pronësi private, gjashtë janë në pronësi shoqërore dhe një është në pronësi të Komunës së Leposaviqit.

Për Komunën e Zubin Potokut dihet vetëm se toka gjendet në zonat kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Bregu i Madh, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.

Çfarë thonë nga Qeveria e Kosovës?
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj në mënyrë konkrete pyetjes së REL-it se sa tokë do të jetë objekt i shpronësimit. Sipas Qeverisë, qëllim është ndërtimi i projekteve që “do të ndikojnë në krijimin e kushteve për zhvillim të gjithanshëm”.

Po sipas saj, kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ka shpronësuar në veri, për hir të interesit publik, dhe, siç thuhet, askush deri më tani nuk ka protestuar.

Në përgjigjen e Qeverisë dërguar REL-it nuk saktësohet se sa tokë është shpronësuar deri më tani dhe çfarë është ndërtuar në të. Aty thuhet se procesi i shpronësimit është në përputhje me ligjin dhe se është proces transparent.

“Qeveria ka mbajtur dëgjime publike me pronarët e pronave në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, ku pjesëmarrja ka qenë shumë e mirë, dhe me pronarët e pronave janë diskutuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me procesin”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Aty theksohet se të gjithë pronarët e tokave, që janë objekt i shpronësimit, do të përfitojnë kompensim monetar, të përcaktuar nga Zyra e Vlerësimit të Pasurive të Paluajtshme, në bazë të çmimeve të tregut.

Ligji për Shpronësimin thotë se Qeveria e Kosovës mund të shpronësojë në kushte të caktuara, por se në ato raste, komuna, në territorin e së cilës kryhet shpronësimi, ka të drejtë ta kundërshtojë në gjykatë ligjshmërinë e shpronësimit dhe/ose shumën e kompensimit.

Përveç veprimeve për realizimin e të drejtave të parapara me ligj, asnjë komunë apo autoritet publik komunal nuk mund ta parandalojë apo pengojë shpronësimin.

Në ligj gjithashtu thuhet se shpronësimi i pronës së paluajtshme mund të kryhet vetëm nëse prona nuk është përzgjedhur për qëllime të zbatimit të ndonjë objektivi diskriminues.

Avokati Florin Lata shpjegon për REL-in se Ligji për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme parasheh mundësinë që Qeveria e Kosovës të kryejë shpronësime për “qëllime legjitime publike”, që mund të jenë edhe “ndërtimi ose zgjerimi i një ndërtese ose objekti, i cili do të shfrytëzohet nga një autoritet publik qendror për ushtrimin e funksionit të tij publik”.

“Duke marrë parasysh se ndërtimi i ndërtesave – objekteve të stacioneve policore konsiderohet si i domosdoshëm në ushtrimin e funksionit publik të Qeverisë, atëherë konsiderohet se Qeveria ka të drejtë që ta bëjë shpronësimin e pronës për këtë qëllim”, thotë Lata.

Megjithatë, ai shton se Ligji parashikon të drejtën e ankesës për pronarët e tokave, të cilët vlerësojnë se shpronësimi nuk është i nevojshëm dhe nuk i plotëson kushtet ligjore.

“Pronarët e paluajtshmërisë kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh t’i drejtohen gjykatës, e cila mund ta anulojë procesin e shpronësimit në tërësi apo pjesërisht. Nëse gjykata refuzon ankesën e tyre, atëherë vazhdon procedura e shpronësimit dhe pronarët nuk kanë më të drejtë që të kundërshtojnë shpronësimin. Çfarëdo veprimi tjetër i tyre pengues do të jetë i kundërligjshëm dhe të njëjtit rrezikojnë që të ndiqen penalisht”, thotë Lata.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “t’i respektojnë me përpikëri procedurat ligjore lidhur me shpronësimin e pronës së paluajtshme” dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave pronësore të pronarëve.

Shqetësim ka shprehur edhe për “krijimin e bazave të Policisë së Kosovës në tokën private dhe shoqërore – në disa raste edhe para fillimit të procedurës së shpronësimit”.

Paraprakisht, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar me mesazhin se është në dijeni me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me shpronësimin, por se në këtë moment “nuk duhet shtuar benzinë në zjarr”.

Çështja e shpronësimit pason tensionet në veri të Kosovës, në fund të vitit të kaluar.

Asokohe, popullata vendase ka ngritur barrikada, me qëllim që ta pengonte Qeverin./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA