Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i mëshoi rëndësisë së zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe për atë çfarë presin Shtetet e Bashkuara në të ardhmen.
Komentet e tij për mediat vendase erdhën pak se katër kryetarët e rinj të zgjedhur të marrin zyrtarisht detyrën e tyre. Edhe një herë, diplomati i lartë amerikan e theksoi se “zgjedhjet e 23 prillit ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”.
“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik nisur dhe nga kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjidhën. Cdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët. Të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të minimizojnë pikat e mundshme të tensionit”, tha Hovenier për Telegrafin.
I pyetur nëse kjo mund të sjellë tensione të reja që do të ndikonin tek procesi i dialogut, ai e bëri të qartë se çfarë duhet të ndodhë.
“Gjej rastin ta theksoj këtu se pritshmëria jonë është që të gjitha partitë – veçanërisht zyrtarët e zgjedhur – të veprojnë në mënyrë që të ulin tensionet, veçanërisht në një kohë rrethanave të ndjeshme në veri të Kosovës si kjo”, shtoi ambasadori.
Top Channel