Zëvendëskryeministri i parë për Integrimin Evropian, Zhvillimin dhe Dialogun e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u ndal këtë të hënë në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.
Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, zëvendëskryeministri Bislimi tha se as nuk është dashur të priten sot rezultate. Sipas tij, është fillim i diskutimeve në mënyrë që palët të shohin se ku ndodhen me procesin dhe ku duan të shkojmë, porse nuk është pritur epilog për ndonjë nga proceset.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se draft statuti i prezantuar nga ish-ekipi menaxhues duhet të jetë pikënisje për bisedime për themelimin e Asociacionit, mirëpo Bislimi tha se diplomati sllovak e ka sqaruar këtë pjesë duke thënë se ka qenë gabim teknik.
Sipas tij, pikënisja është akti i prezantimit, ndërsa tha se pala serbe ka refuzuar që të diskutojë për çështje të tjera përpos Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2015.
“Tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga z. Lajcak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të Facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike. Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkovic edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne Asociacionin’’, tha Bislimi.
Top Channel