Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, gjatë një vizite në Kosovë foli për Asociacionin, ku shprehu se variant më i mirë mund të përgatitet nga Kosova dhe në kohë sa më të shpejtë.
Pas takimit me dyer të mbyllura me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ai theksoi se është obligim që të shihet se cilat janë idetë për këtë proces.
“Kjo është një përgjigje e lehtë, mendoj se drafti më i mirë mund të përgatitet nga Kosova për Kosovën, dhe vizioni nuk është draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova, shumë shpejt, për të parë se çfarë idesh konkrete kanë për Asociacionin, dhe ky mendoj se është obligim i Kosovës, që ta çojë procesin përpara”, deklaroi Jorn Rohde-Ambasadori gjerman.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbreshë Kryeziu, deklaroi se në takim është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Kemi folur në përgjithësi me ambasadorin për çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, aspekte që ndërlidhen me NATO-n dhe pastaj edhe çështje të anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian, investimet ekonomike në vendin tonë, po ashtu edhe për çështjen e procesit të dialogut, një pjesë e kohës u nda edhe për të diskutuar për çështjet që ndërlidhen në këtë proces”, tha Kryeziu.
Nga ana tjetër deputetët e këtij komisioni Komisionit për Punë të Jashtme, në takimin me ambasadorin gjerman, kanë shprehur shqetësimet në lidhje me qasjen e Serbisë në procesin e dialogut.
Top Channel