Teksa numërimi i votave në të gjithë Shqipërinë po shkon drejt fundit, me PS-në që ka marrë 49 bashki, koalicionin “Bashkë Fitojmë” 6 bashki dhe minoritarët bashkinë e Himarës, kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fitores ku vëmendje të veçantë iu ka dhënë edhe atyre që nuk morën pjesë në zgjedhje.
Nga selia e PS-së, kryesocialisti ia ka faturuar KQZ-së përgjegjësinë e numrit të ulët të pjesëmarrësve në zgjedhje, duke e konsideruar si dështim spektakolar mungesën e aftësisë për të garantuar në kohë nisjen e procesit të votimit në më shumë se 500 qendra.
Rama tha se nuk kanë për të kaluar pa përgjegjës skenat e tmerrshme të pajisjeve miliona euroshe të votimit që hidheshin si arka boshe në furgon.
“Përsa i përket standardit të zgjedhjeve, nuk kam lexuar asnjë raport paraprak për hir të vërtetës, por besoj që zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt përveç dështimit spektakolar të KQZ-së për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë, që me korrektesë dhe dëshirë, që në orët e para të mëngjesit ishin futur në radhë për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre kushtetuese.
Kjo ishte një gjë e rëndë, tronditëse për faktin se pajisjet elektronike të identifikimit kanë garantuar një transparencë shumë më të madhe, një siguri shumë më të madhe dhe mosfunksionimi i tyre për arsye nga më banalet, ndërkohë që, dakord KQZ-ja është për të bërë shumë gjëra para dhe pas, por KQZ-ja në fund të ditës është për atë ditë. Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm, por nuk dua të ndalem me tutje në këtë. Me siguri që ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje, aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh, sepse asnjë arkë me çfarëdo gjëje të mbajë brenda, nuk mund të hidhet ashtu në kamion për të shkuar në destinacion.
Miliona e miliona euro të vëna në dispozicion nga taksat e shqiptarëve për të garantuar shqiptarët për një proces më të sigurt, më transparent dhe më të mirë zgjedhor, kjo ishte vetmja gjë e veçantë. Të tjerat janë të gjitha gjëra që i kemi dëgjuar”- tha Rama.
I ndalur te akuzat e opozitës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për shit-blerje votash dhe manipulim të zgjedhjeve, Rama tha se ishte e ditur, pasi mohimi i rezultatit të zgjedhjeve është misioni historik i opozitës së sotme shqiptare. E vetmja gjë që i doli nga parashikimi, theksoi ai, ishte shpejtësia me të cilën do të mohohej ky rezultat.
“Përsa i përket akuzave të opozitës, ju nuk keni nevojë të më pyesni sot; ju keni sinkronet, unë e kam parashikuar disa herë në takimet e mia publike. E vetmja gjë, që unë nuk parashikova ishte shpejtësia me të cilën u kthye në atë që është pozicioni i përhershëm, historik, i përjetshëm i tyre, mohimi i realitetit dhe fillimi i klithmave për vjedhje të zgjedhjeve ndërkohë që, deri sa dolën rezultatet e para, sidomos rezultati i Kamzës, ata ishin, si gjithmonë edhe në të shkuarën, të sigurt që kishin një fitore tronditëse. Çfarë mund të them unë më shumë për ta?”- tha Rama.
Top Channel